Sport Sami Khedira tërhiqet nga futbolli: Vendim i vështirë, por i duhuri

Sami Khedira tërhiqet nga futbolli: Vendim i vështirë, por i duhuri

Sami Khedira largohet nga futbolli i luajtur në moshën 34-vjeçare. Njoftimi u bë nga Hertha e Berlinit, skuadër ku mesfushori luajti që nga muaji shkurt, pas përfundimit të kontratës me Juventusin.

“Një legjendë tërhiqet nga futbolli – shkruan klubi gjerman – edhe pse nuk e keni veshur fanellën tonë për një kohë të gjatë, faleminderit për gjithçka! Është bukur që na ndihmove në një moment të vështirë”.

Gjatë viteve të fundit, Khedira, i cili ka 77 paraqitje dhe 7 gola në ekipin kombëtar gjerman, shpesh ka qëndruar i dëmtuar, veçanërisht nga problemet muskulore dhe në gju.

“Është një hap mjaft i vështirë, por vendim i duhur”, – deklaroi Khedira në një konferencë shtypi. – “Momenti kur kuptova se nuk do të isha më në gjendje të luaja, ishte më i hidhuri i karrierës sime. 15 vjet futboll si profesionist kanë lënë gjurmë”.

Në palmaresin e pasur të mesfushorit gjerman, me baba tunizian, janë:  një titull i Bundesligës, një Liga, dy Kupa të Spanjës, një Superkupë e Spanjës, pesë tituj të Serisë A, tri Kupa të Italisë, tri Superkupa të Italisë, një Champions League, një Superkupë e Europës, një Botëror Klubesh, një Europian U-21 dhe një Kupë Bote “Brazil në 2014”.