Extra Sfidoi temperaturat ekstreme në Theth, surprizon Aurora: Jam larë edhe në minus...

Sfidoi temperaturat ekstreme në Theth, surprizon Aurora: Jam larë edhe në minus 22 gradë Celsius

Dje nuk kaloi pa u vënë re dhe një video e cila në pak çaste u bë virale. Në këtë video duken dy persona të cilët në temperaturat që arrinin -6 gradë Celsius, pa hezituar u futën në Ujëvarën e Grunasit në Theth. Ata janë Aurora Piroviq dhe alpinisti Bedat Dini që sfiduan këto temperatura. Në emisionin “Rudina” ishte në lidhje direkte Aurora Piroviq, e cila rrëfeu këtë eksperiencë të saj.

Aurora Piroviq me profesion është biologe dhe birdwatching (vrojtuese zogjsh). Me profesionin e saj udhëton kryesisht në male dhe duke qenë se është gjithmonë në ndjekje të zogjve shpesh herë është detyruar të kalojë dhe në ujëvara të ndryshme për t’i studiuar ato.

Nuk është hera e parë që ajo futet në Ujëvarën e Grunasit në Theth, por këtë gjë e bën në çdo ujëvarë mali që ajo has për shkak të profesionit të saj. Ka 2 vite që nuk shkon në det sepse e shijon më shumë ujin e ftohtë të ujëvarave të malit.

Rudina Magjistari: Si e more përsipër këtë sfidë, a nuk i trembeshe të ftohtit?

Aurora Piroviq: Unë jam biologe me profesion dhe përveç profesionit tim, jam dhe dashamirëse e natyrës si dhe një guidë natyrore. Ne ishim në Thethin e bukur së bashku me stafin e “Drini Times” me të cilin punojmë së bashku për të ofruar shërbime për guida natyrore. Së bashku ne e morëm këtë iniciativë për të shkuar në Theth këtë fundjavë. Rruga ishte krejtësisht e aksesueshme, madje pa zinxhirë sepse borëpastrueset punonin pa pushim që të mbanin pastër rrugën pa dëborë dhe pa probleme.

Rudina Magjistari: Më pas, çfarë ndodhi? Si e more kurajon të futeshe me rroba banjo në temperaturë minus 6 gradë Celsius?

Aurora Piroviq: 3 gjëra nuk i heq nga çanta, syzet, çadrën dhe rroba banjo. Thethi të ofron shumë gjëra, por ke edhe plot aktivitete.

Rudina Magjistari: Më trego pak, ishte për ty hera e parë që futeshe në ujë në temperatura të tilla?

Aurora Piroviq: Nuk është eksperiencë e parë, madje jo një ndër ato më sfidueset që unë mund të kem kaluar. Për mua ka qenë në vitin 2015 kur jam larë në ujëvarën e Vefçanit në minus 22 gradë, kurse kjo minus 6 gradë për mua ishte kënaqësi, jo ndonjë sfidë e madhe.