Bota SHBA arreston ish-ministrin meksikan të Mbrojtjes për trafik droge

SHBA arreston ish-ministrin meksikan të Mbrojtjes për trafik droge

Ish-ministri i Mbrojtjes së Meksikës, Gjenerali Salvador Cienfuegos Zepeda, është arrestuar nga autoritetet amerikane në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Angeles. Lajmin e dha në Twitter ministri i Jashtëm meksikan, Marcelo Ebrard.

Ai tha se u informua për arrestimin nga ambasadori amerikan në Meksikë, Christopher Landau.

“Ne do t’i ofrojmë (Cienfuegos Zepeda) ndihmën konsullore për të cilën ai ka të drejtë”, shtoi Ebrard.

Ende nuk dihet akuza që rëndon mbi Cienfuegos Zepeda, ndërsa vetë autoritetet amerikane nuk e kanë konfirmuar arrestimin e tij.

Por sipas mediave, 72-vjeçari u arrestua me kërkesë të DEA-s, ndërsa akuzohet për trafik droge.

Cienfuegos Zepeda ka qenë ministër i Mbrojtjes në Meksikë nga viti 2012 deri në vitin 2018.