Kryesore Rama: 30 korriku është kry, PD të mos lodhet duke e kundërshtuar

Rama: 30 korriku është kry, PD të mos lodhet duke e kundërshtuar

Kryeministri Edi Rama konfirmoi se në seancën e 30 korrikut do të votohet marrëveshja e arritur mes qeverisë dhe opozitës në parlament, ku adresohen disa ndryshime kushtetuese sa i përket reformës zgjedhore.

“Më 30 korrik do të votojmë ndryshimet për të cilat kemi rënë dakord. Duan apo s’duan ata që nga jashtë parlamentit kujtojnë se sa më shumë të bërtasin, do të fitojnë. 30 korriku nuk cenon 5 qershorin. Ajo nuk bllokon ndryshimet që duhen adresuar. Ato nuk preken dhe do të zbatohen siç kemi rënë dakord. Sigurisht që pas votimit të gjithë janë në të drejtën e tyre që të vazhdojnë të diskutojnë”, tha Rama në Parlament.

“PD të mos lodhet duke kundërshtuar 30 korrikun. Ajo është një marrëveshje e nënshkruar, është vullneti i këtij parlamenti që mund të jetë ilegjitim për Ilir Metën sipas rastit. Kemi qenë dhe mbetemi gjithmonë për dialog. Nuk kam refuzuar unë ndonjëherë të ulem me Lulzim Bashën, ka refuzuar Basha të ulet me mua. Peng PS, shumicën dhe qeverinë nuk e merr dot askush”.

Kryeministri tha se ndryshimet e reja nuk cenojnë koalicionet. “Të drejtën për t’u bashkuar nën një çadër nuk do ta heqim, por edhe këtë do ta sanksionojmë në kodin zgjedhor. Sigurisht që janë të ftuar, të na bashkohen në diskutim, të na ofrojnë opsionet e tyre”, shtoi Rama.

“Para Ilir Metës, Bujar Nishani dukej si George Washington”

“Uji i Venecias nuk e ka nxjerrë të larë presidentin, por ka nxjerrë në pah shkeljet e tij. Është sjellë në zyrën e Presidentit si tutor i opozitës, kjo është e vërteta dhe këtë e dinë të gjithë. Ne e zgjodhëm Presidentin e Republikës, por të gjithë harrojnë se Ilir Meta u bë president me votat e tij dhe tonat”, tha Rama gjatë fjalës së tij në Parlament, ku u prezantua raporti i Komisionit të Posaçëm të ngritur për shkarkimin e Presidentit.

“Qysh në atë kohë e kam thënë që zgjodhëm presidentin më të mirë që mund të kishte zgjedhur opozita për veten e vet. As unë vetë nuk e kisha paraparë që presidenti do të ishte aq i mirë për opozitën sa do të bëhej i keq për Shqipërinë, me akte vandale ndaj Kushtetutës dhe me akte në kundërshtim të plotë me traditën e vendosur në atë zyrë nga të tjerë. Para Ilir Metës, Bujar Nishani dukej si George Washington. Ishte absolutisht në rregull me Kushtetutën. Ilir Meta e ka kthyer zyrën e presidentit në një seli të operacioneve politike të njëanshme dhe vatër të hedhjes në zjarr duke përdorur Kushtetutën si letër dhe mllefin ndaj kësaj shumice, si benzinë”, shtoi Rama.