Opinione SHBA mund të nisë një luftë nukleare…financiare me Kinën

SHBA mund të nisë një luftë nukleare…financiare me Kinën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në kërkim të gjetjes së një rruge për të ndëshkuar Kinën, që e akuzon se fshehu të vërtetën që qëndron pas përhapjes së koronavirusit, duke i sjellë vendit miliarda dollarë humbje ekonomike dhe financiare si pasojë e krizës.

Mundësitë që “ndëshkimi” të mos prodhojë, apo të prodhojë pasoja të pakëndshme minimale për vetë SHBA, apo aleatët e saj në botë janë të pakta, por kjo nuk do të thotë se nuk ekzistojnë. Njëra prej tyre lidhet drejtpërdrejtë me borxhin 1.1 trilion dollarësh që SHBA i detyrohet Kinës.

Pyetja që ngrihet është se përse duhet të vazhdojë të paguajë Xhaxhi Sam (SHBA), tek një vend që e fajëson se i shkaktoi miliarda dollarë humbje dhe mijëra viktima? Deri më tani, kjo tezë pak qarkullon, por sa më shumë afrohet nëntori i zgjedhjeve presidenciale amerikane, aq më shumë peshë mund t’i mëshojë Donald Trump kësaj ideje. Por si?

SHBA nuk mundet që thjesht të refuzojë të paguajë borxhin. Tregjet funksionojnë në bazë të rregullave dhe rruga më e shkurtër që të vjen ndërmend që Amerika të çlirohet nga borxhi 1.1 trilion dollarësh që i ka Kinës është falimenti. Me këtë akt do të refuzohej pagesa edhe e borxheve që vendi u ka shteteve, apo institucioneve të tjera. Pra, falimenti i SHBA për tregjet është njësoj si një luftë nukleare dhe në një luftë të tillë nuk ka fitues, por vetëm të humbur. Kjo është arsyeja pse Kushtetuta amerikane e ndalon shpalljen e falimentit.

Megjithatë, nëse ka vullnet mund të gjendet një zgjidhje. SHBA nuk mund të refuzojë që të paguajë borxhet, por mund të ndalojë që të paguhen borxhet që i ka Kinës. Presidenti Trump mund të urdhërojë bankat që të ndalojnë menjëherë çdo pagesë norme interesi, apo principali për të gjitha llogaritë të lidhura me qeverinë kineze. Mund të ngrijë asetet e këtyre llogarive dhe në fund fare mund të kërkojë edhe sekuestrimin. Mendojeni si formë sanksionesh që shenjëstrojnë Kinën. Trump do të mbrohej duke deklaruar se nuk ishte një faliment, pasi huadhënësit e tjerë të SHBA do të vazhdonin të paguheshin.

Baza ligjore? Me aktivizimin e Aktit Ndërkombëtar të Emergjencës Ekonomike, një ligj i vitit 1977, Presidenti amerikan mund të bëjë praktikisht çfarë të dojë me gjithçka që prek territorin amerikan dhe klasifikohet si “kërcënim i pazakontë, i jashtëzakonshëm”. Mes fuqive që ligji i jep Presidentit është edhe bllokimi i transfertave financiare.

Covid-19 është cituar aktualisht si emergjencë kombëtare dhe nëse vendoset të interpretohet si një sulm i një vendi tjetër (në këtë rast Kinës), atëherë Trump mund të urdhërojë konfiskimin e pronave dhe kapitalit kinez në SHBA.

Rastet në të shkuarën nuk mungojnë. Jimmy Carter e përdori për të ngrirë asetet iraniane gjatë krizës së Ambasadës Amerikane në Teheran në vitin 1979, ndërsa Barack Obama e përdori për të ngrirë asetet e Venezuelës disa vite më parë. Edhe Donald Trump ka kërcënuar në të shkuarën se mund ta zbatojë këtë akt. Vitin e kaluar, Presidenti amerikan tha se mund të përdorte aktin në fjalë për t’u ndaluar kompanive amerikane që të investonin në Kinë dhe vetëm disa ditë më parë shfrytëzoi të njëjtin akt për të ndaluar importin e pajisjeve elektrike nga “shtete rivale”.

Megjithatë, kjo rrugë nuk do të kishte një efektivitet 100 për qind, sepse asetet e Kinës nuk mund të gjurmohen lehtë dhe bllokimi i pagesës së kësteve nuk është njësoj si çlirimi përfundimtar i SHBA nga këto detyrime. Por, edhe vetë kërcënimi për të ngrirë asetet kineze, apo ndalimi i bankave për të transferuar këstet e interesave, apo të principalit mund të ketë një efekt pozitiv në elektorat për Donald Trump dhe për më tepër do të vendoste Kinën në pozicion mbrojtës.

Ky skenar është i pagjasë dhe i pamatur, por për një President nën presionin e rizgjedhjes nuk mund të përjashtohet.