Bota Shëndeti i Angela Merkel po shqetëson gjithë Gjermaninë: Për çfarë dyshohet dhe...

Shëndeti i Angela Merkel po shqetëson gjithë Gjermaninë: Për çfarë dyshohet dhe skenarët

Tre herë është parë Kancelarja gjermane Angela Merkel që të dridhet në publik. Hera e fundit ishte gjatë pritjes zyrtare me Kryeministrin finlandez. Ndërsa dje, Kancelarja Merkel kishte ndryshuar strategji. Ajo kërkoi ndryshim protokolli dhe në pritjen zyrtare në Berlin me Kryeministren daneze, u pa e ulur në karrige gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar.

E gjithë Gjermania, por edhe Europa, kanë kthyer kokën nga Kancelarja Angela Merkel e cila të mërkurën shënoi dridhjet e treta trupore për vetëm tre javë.

Megjithëse është konsultuar me mjekët për shkakun, Merkel ende nuk jep hollësi të mëtejshme. Të enjten, gjatë një ceremonie zyrtare për të mirëpritur kryeministren e re të Danimarkës, të dy udhëheqëset thyen protokollin standard, duke u ulur në karriget që ishin vendosur në qilimin e kuq përballë kancelarisë.

Nga se vuan?

Merkel ka siguruar vazhdimisht qytetarët e saj se është në gjendje të mirë dhe është e aftë t’i shërbejë Gjermanisë deri në fund të mandatit në vitin 2021. Revista “Focus” ka publikuar disa skenarë të rinj për shëndetin e Merkel, se cili është shkaku që i jep të dridhura.

Njëra pistë mund të jetë ankthi. Gjendja e fortë e ankthit mund të shkaktojë dridhje, të cilat në këtë rast konsiderohen një reagim normal i muskujve të trupit.

Stresi është një tjetër faktor që mund të shkaktojë dridhjen e Merkelit. Ekspertët thonë se kur stresi është në nivele të larta, është normale ky reagim i trupit.

Një mundësi tjetër mund të jetë mungesa e vitaminës B12, e cila i shkakton të dridhurat.

Vetë Kancelarja Angela Merkel ka thënë më herët se të dridhurat i janë shkaktuar si pasojë e dehidratimit. Megjithatë, ka dyshime se problemi i Kancelares gjermane mund të jetë nervor.

Disa javë më parë, mediat e huaja shkruanin se shërbimet sekrete të disa shteteve ishin vënë në lëvizje për të zbuluar problemin shëndetësor të Angela Merkel.

Çfarë do të ndodhte nëse Merkel do të sëmurej seriozisht

Merkel me të drejtë konsiderohet si udhëheqësja më e rëndësishme në Evropë – një fakt që e bën gjendjen e saj shëndetësore një çështje të rëndësishme, madje edhe përtej kufijve të Gjermanisë.

Nëse ajo do të sëmurej seriozisht, implikimet ndërkombëtare do të ishin të rënda. Ligjërisht, ajo mund të zëvendësohet për pak kohë nga çdo gjerman mbi moshën 18 vjeç, i cili mund të mbledhë një shumicë në Bundestag (parlamentin gjerman). Praktikisht, dalja nga qeveria e zonjës gjermane që shumica i referohen si “Nëna”, do të ishte një goditje masive.

Në lidhje me kandidatët e përshtatshëm për ta zëvendësuar atë, së pari mendja shkon te Annegret Kramp-Karrenbauer, e njohur ndryshe si pasardhësja e Merkel. Tani për tani, nuk ka asnjë garanci që koalicioni qeverisës i Gjermanisë do të vazhdojë, duke aluduar në zgjedhje të reja.