Sërish trazira në Vlorë në këto ditë të nxehta të gushtit.
Një sherr mes disa pushuesish është regjistruar ditën e sotme në bregdetin e Vlorës.
Mësohet se shkak i këtij sherri janë bërë dy të rinj, që dyshohet se kanë ngacmuar dy gra. Këtë skenë të turpshme e kanë parë bashkëshortët dhe familjarët të cilët kanë ndërhyrë dhe janë konfliktuar me dy të rinjtë.
Si pasojë e sherrit tre persona kanë përfunduar të gjakosur. Mësohet se nga qytetarë të ndryshëm është njoftuar policia dhe ambulanca për tu ardhur në ndihmë.
“Sot, në spitalin e Vlorës, janë paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasit A. B., 38 vjeç dhe K. A., 42 vjeç, të cilët dyshohet se janë konfliktuar fizikisht, për motive të dobëta, me tre shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, në plazhin e quajtur “Vega”, Vlorë.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt”, njoftoi policia.
Një ngjarje e tillë vjen 4 ditë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Potam të Himarës ku u vra Jonada 7-vjeçare nga një polic me skaf.