Kryesore Shkarkimi i Nanos, Meta: Kokë turku. Rama e ka ndarë Shqipërinë në...

Shkarkimi i Nanos, Meta: Kokë turku. Rama e ka ndarë Shqipërinë në principata të kriminelëve

Një vendim të çuditshëm dhe kokë turku të radhës e ka konsideruar kreu i partisë së Lirisë Ilir  Meta shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë Gledis Nano.

Në një konferencë për shtyp, Meta tha se prej gati 10 vjetësh problemi nuk janë vetëm drejtorët apo ministrat që bëhen kokë turku, por vetë kryeministri Rama, që sipas tij motivon dhe justifikon krimin.

“Vetëm 10 muaj më parë u promovua me entuziazëm edhe vlerësime si prurje e re cilësore dhe shpresëdhënëse për drejtimin ligjor e qytetar të policisë së shtetit. Nuk ka ndonjë naiv që të besojë se drejtori i policisë deri dje apo deri para 10 vitesh, që kur Rama u bë kryeministër, që drejtori dhe performanca e tij ka qenë problemi dhe as ministrat që janë bërë kokë turku pas kokë turku dhe ndërkohë që situata e rendit ka ardhur vetëm duke u përkeqësuar në mënyrë ekstreme. Askush mos të mashtrohet se një shkarkim si ky i sotmi mund të jetë shpresëdhënës për një përmirësim të funksionimit të policisë së shtetit dhe integritetit të saj, sigurisë qytetare dhe publike.

Përgjegjësia për vrasjet dhe aksidentet ta kërkojnë te njeriu që ulet me krimin dhe motivon e justifikon atë që ka ndarë Shqipërinë në principata të kriminelëve duke dëmtuar funksionimin e ligjit dhe integritetin e policisë së shtetit”.

Meta u bëri thirrje punonjësve të policisë që të zbatojnë ligjin dhe të mos përdoren nga politika, pasi sipas tij ora e ligjit në policinë e shtetit po vjen dhe do të rifitojë dinjitetin e humbur dhe të nëpërkëmbur.