Bota Shpërthim në një lagje të Parisit, 29 persona të plagosur, katër prej...

Shpërthim në një lagje të Parisit, 29 persona të plagosur, katër prej tyre janë në gjendje kritike

Autoritetet në Paris po vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e dy personave, që mendohet të jenë nën rrënojat e një godine që shpërtheu dhe u përfshi nga flakët.

Shpërthimi ndodhi të mërkurën, në atë që njihet si lagjja Latine në Paris, si pasojë e të cilit, u shemb fasada e një shkolle arti, mjaft popullore mes studentëve të huaj.

Prokuroria njoftoi se të paktën 29 persona janë plagosur dhe se katër prej tyre janë në gjendje kritike.

Zyra e prokurorit të Parisit bëri të ditur se ishte ende shumë herët për të thënë se çfarë e shkaktoi shpërthimin.

Por në një postim në ‘Twitter’, Edouard Civel, një zyrtar lokal, shkruante se incidenti ishte pasojë e një shpërthimi gazi. Po kështu dëshmitarët thanë për televizionin lokal ‘BFM’ se disa momente përpara shpërthimit ishte ndjerë një erë e fortë gazi.