Politika “Shqipëria ka qenë krah Kosovës”, Isa Mustafa: Gjykatën Speciale nuk na e...

“Shqipëria ka qenë krah Kosovës”, Isa Mustafa: Gjykatën Speciale nuk na e bëri Basha e as Berisha

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i është bashkuar debatit të ditëve të fundit që ka shpërthyer në Shqipëri në lidhje me disa akuza për përfshirjen e Lulzim Bashës për fshehjen e disa provave për një masakër të serbëve, apo dhe në lidhje me rezolutën e KE që u mbështet në Strasburg nga qeveria shqiptare e asaj kohe.

Mustafa shprehet se Gjykatën Speciale, nuk na e bëri Lulëzim Basha dhe as Sali Berisha dhe shton se debate të tilla nuk i ndihmojë luftëtarët e UÇK që tashmë ndodhen në Hagë.

Sipas Mustafës, Shqipëria ka qenë gjithnjë në krah të Kosovës në kohët e saj më të vështira.

Postimi i Mustafës:

Shqipëria i doli në krah Kosovës në kohët më të vështira rrugën e saj të çlirimit dhe shtetndërtimit, si gjatë qeverisjes së demokratëve ashtu edhe të socialistëve. Nëntë vite kam qenë në ekzil, nga viti 1990 deri më 1999, dhe e kam përjetuar Shqipërinë si shtëpinë time, shtetin tim.

E ndjej shumë rëndë që në vitin 2020 të “zbulojmë” se dikush nga Shqipëria pas çlirimit paska qenë kundër UÇK-së. Konstruktime të tilla të pavërteta, nuk iu ndihmojnë pjesëtarëve të UÇK-së që tani janë në Hagë. Nuk i bëjnë mirë të së vërtetës. I bëjnë keq harmonisë dhe solidaritetit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, që na nevojitet më shumë se çdoherë më parë.

Gjykatën Speciale, nuk na e bëri Lulëzim Basha , Sali Berisha, ….por për te vendosi Kuvendi i Kosovës. Nëse s’do ta bënte Kosova do të vendoste Këshilli i Sigurimit i KB. Shqipëria nuk ka dorë dhe as hile në këtë vendim dhe as në proceset gjyqësore që u zhvilluan pas lufte.

Për ne duhet të ketë qenë nder prezenca e shqiptarëve nga Shqipëria në misionin e UNMIK-ut, sikurse edhe e kosovarëve. Ka qenë ndihmë specifike.

Baltosja e njerëzve pa asnjë arsye të shëndoshë dhe pa argumente nuk është rrugë dhe mënyrë e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, të vlerave të shtetit tonë dhe të shtetit shqiptar. Duhet të pushojnë sulmet e tilla, sepse po na dëmtojnë.