Politika “Shqiptarët në emigracion duhet të kenë vendin e tyre në Parlament”

“Shqiptarët në emigracion duhet të kenë vendin e tyre në Parlament”

Sot realizuam një intervistë nga Londra nëpërmjet Skype nga Londra me Marsela Koci, drejtuese e shoqatës “Krahët e Shqipes”, aktiviste për të drejtat e shqiptarëve në emigracion dhe për fuqizimin e rolit në vendimmarrje të Diasporës Shqiptare.

Sa e përgatitur e ndjenit veten kur filluat studimet në Itali në krahasim me kolegët tuaj?

Kur mbërrita në Itali në vitin 2002 nuk e dija mire italishten pasi nuk e kisha studiuar, por veshi më ishte vrarë nga kanalet e shumta televizive italiane që shihnim në Shqipëri me ato antenat si saç mbi çati, nëse keni pasur dhe ju një të tillë. Më kthen mbrapa në kohët më entuziaste dhe më të lumtura të jetës time, që në atë moment se kuptoja si ndoshta shumë moshatarë të mi se ëndrrat më të bukura i dëshiroje dhe imagjinoje 20 vjeç. Ishin pikërisht ato ëndrra që s’më lanë asnjëherë të rrëzohesha nga malli për Shqipërinë, për Beratin, për shoqërinë time dhe më shtynin të vazhdoja rrugën që kisha vendosur të nisja edhe pse tani më duket e çuditshme që qaja pasi s’më pëlqente vështirësia për të pasur dokumente, radhët e gjata në kuesturë dhe shikimi gati denigrues i disa divizave policore ndërkohë që prisnim në radhë të perbëra nga aziatik, afrikan, rumunë e bullgarë deri sa mbetem në atë radhë dhe vazhdojmë edhe sot dita, edhe pse radhët nuk janë më aq të gjata, të vetmit nënshtetas europianw të quajtur akoma pas 30 vitesh emigrim, ekstra-komunitarë.

Si i kujtoni ditët e para të mbërritjes në Itali dhe sa kohe ju desh të përshtateshit?

Ditët e para i kaluam nëpër shoqe dhe njerëz të njohur. Më pas u njoha me anë të njohjeve të vëllait tim me një komunitet që ndihmonte gratë në vështirësi, “Casa del Giovane” në Pavia u bë për mua shtëpia ime e pare në Itali. Tamam si një familje e bashkuar mes grave të kombësive të ndryshme që mua më çuditnin për disa zakone që kishin, por që më treguan botën nën një cati. Më mësuan se sa shumë gjëra apo fjalë të përbashkëta kishte shqipja me rumanishten. E çuditshme si nuk dinim ne gjimnazistët e viteve 1990-2000 kaq shumw sa dimë sot për gjuhën tonë aq të vjetër dhe të pasur. Emigranti zakonisht kapet pas historisë së lavdishme të vendit të tij, pas figurave historike që kanë bërë jo vetëm historinë e vendit tonë por që kanë influencuar deri aty ku kisha arritur në Itali. Me Skënderbeun mburresha unë dhe mburreshim të gjithë kur na quanin ekstra komunitarë.

Megjithatë për mua i vështirë ka qene vetëm ambientimi me shoqërinë, më e thjeshtë se sa e një punëtori apo e një ilegali pasi erdha me një vizë studimi dhe frekuentoja universitetin ku kisha miq nga Shqipëria, italiane e të huaj. Ishte e vështirë gjuha pasi nuk e dija në mënyrë të rrjedhshme dhe të jepje provimet me gojë e të shpreheshe në mënyrë akademike ishte e vështirë. Ishte i vështirë mentaliteti me të cilin përballeshe në shumë ambiente pune për më shumë apo kur kërkoje një shtëpi me qera dhe nëpër zyrat e institucioneve. Nëse ishe shqiptare ishe i barabartë me ekstra-komunitarë, një epitet i krijuar nga partia e Lega Nord dhe kriminelë, trafikantë etj. Sot të jesh shqiptar në Itali është ndryshe falë punës së mrekullueshme që kanë bërë jo vetëm punëtorët e shumtë shqiptarë, bizneset e ngritura nga shqiptarët dhe figura të shquara ndër shkrimtarë emigrante, artiste dhe pjesëmarrja e tyre në aktivitet e shumta kulturore me shoqata kulturore në të cilat shpalosen vlerat e vërteta të shqiptarizmit. Sot të jesh shqiptar në Itali nuk do të thotë të mimetizohesh si Italian apo i një kombësie tjetër sepse jemi një ndër komunitetet më të integruara të vendit në çdo aspekt, gjuhësor, kulturor dhe politik. Një rol të rëndësishëm e ka luajtur me siguri ribashkimi i familjeve shqiptare, roli vendimtar i gruas në rrjetëzimin e marrëdhënieve shoqërore.

Në krahasim me Britaninë e Madhe ku sot emigranti shqiptar shihet sikur në fillim të viteve 2000 në Itali dhe jam e bindur që edhe kjo valë do të kalojë me anë të vullnetit dhe punës së palodhur të shumë shqiptarëve të ndershëm.

Kur filluat të angazhoheni në komunitetin shqiptar?

Unë me komunitetin shqiptar fillova të angazhohesha që kur m’u dha mundësia të jetoja në një komunitet për të huaj. Aty kishte kaluar një pjesë të jetës edhe vëllai im i cili kishte shkuar në Itali në moshën 16-vjeçare dhe si i mitur kishte qëndruar për dy vite në komunitet. Aty kam njohur shumë adoleshentë të cilët kishin nevojë për ndihmë me italishten dhe me përkujdesjen, shoqërimin nëpër kurse të ndryshme apo institucione e spitale. Kështu edhe pasi u largova nga komuniteti pas 6 muajsh shkoja çdo të premte, të shtunë dhe të dielë atje dhe ndihmoja si në shtëpinë e grave dhe në atë të adoleshentëve ku kishte edhe shqiptarë. Kjo periudhë e jetës time ka qenë shumë e rëndësishme dhe më futi në shpirt frymën e bashkëjetesës dhe bashkësisë, rregullat dhe respektin për të gjithë kombësitë, fetë e ngjyrat të cilat u përkisnin.

Më pas gjatë studimeve që kishin të bënin me emigracionin dhe nga të cilët mbrojta dy tema të rëndësishme, “Figura e gruas shqiptare në emigrim” “Studentet shqiptare në Lombardi” dhe tjera mbi emigrantët e rikthyer dhe roli i tyre në ndryshimin e mentalitetit dhe jetesën e shqiptarëve në Shqipëri.

Më pas u angazhova në një televizion online All-TV ku isha video reporter dhe realizoja video intervista e artikuj mbi komunitetin shqiptar në Lombardi. Përfshirja në disa organizata dhe shoqata me anë të të cilave promovoja figura të ndryshme të komunitetit shqiptar në Itali më beri të bashkëpunoj në evente ndërkombëtare si ai i “Festivalit Ndërkombëtar të Poezise në Milano, në evente të dedikuara gruas emigrante, programe të caktuara me anë të të majtës italiane në përfshirjen e grave të huaja në jetën politike te Italisë dhe edukimin me ligjet italiane nëpërmjet kurseve të ndryshme dhe takimeve të shumta që zhvillonim në Milano. Kam bashkëpunuar me Radio Dirirttozero, në emisionin “Volo D’aqcuila” dhe takime të ndryshme ku flitej për komunitetet e huaja dhe problemet me legjislacionin, mentalitetin, thyerjen e barrierave mes komuniteteve të huaja dhe shoqërisë italiane. E keshtu me radhe kudo që kishte aktivitet të komunitetit shqiptar si me anë të shoqatave e përfaqësive diplomatile shqiptare unë isha e pranishme për një artikull apo video intervistë. Unë kam patur bashkëpunim në të gjitha aspektet persa i përket promovimit të shqiptarëve në Itali për vite me rradhë. Kam qenë shumë aktive edhe me komunitetin Latin pasi njoh gjuhën dhe kulturën e tyre si organizata nga Peru, Ekuadori, Argjentina Kili etj, Unë kam qenë promotore e aktiviteteve të tyre si kulturore ashtu edhe politike.

Në statuset tuaja në rrjetet sociale kam vënë re një pathos të fortë patriotik. A e konsideroni veten patriote apo nacionaliste?

Nuk mund të them jam patriote apo nacionaliste, unw jam një atdhetare që mundohem me shpirt të ngre sa më lart emrin e shqiptarëve dhe Shqipërisë kudo që më jepet mundësia. E kam ngritur gjithmonë zërin kundër padrejtësive të shqiptarëve atje ku ndodhen qysh në fillimet e viteve 2000 me letra të ndryshme të dërguara institucioneve europiane kundër diskriminimeve që padrejtësisht u bënin shqiptarëve në Greqi, nëpër burgje dhe jashtë tyre, por besoj se origjina e gjithë këtyre diskriminimeve vjen nga vendi ynë që nuk ka arritur akoma të tregohet i fortë dhe autoritar atje ku duhet. Le të mendojmë se Shqipëria ka kaluar shumë vështirësi, për gati 50 vjet e izoluar, vitet ’90 të largimit dhe shkatërrimit në masë dhe pastaj’ 97-ta që e rrënoi përfundimisht vendin. Tani, pas 30 vitesh të kësaj demokracie në Shqipëri, ne jemi vetëdijesuar që politika që pasoi periudhën e komunizmit ka marrë përmasa aq të mëdha kriminaliteti, korrupsioni dhe klientelizmi sa situata ka degraduar. Ne shohim një Shqipëri që zbrazet përditë nga të rinjtë dhe kushdo që mund të ikë. E dëgjoja nëpër qendrat e emigracionit ku me qindra adoleshentë shqiptarë kërkonin azil, me qindra qytetarë shqiptarë kërkonin të vizitoheshin nëpër spitalet italiane të mos zëmë ne gojë me qindra agjensi që ofrojnë punë në Gjermani e vende të ndryshme për të rinjtë e diplomuar shqiptar.

Si mos të bëhesh atdhetare kur ikën me shpresë se do të kthehesh një ditë dhe s’e sheh asnjëherë vendin tënd gati për të mirëpritur sërish. Sa emigrantë e kanë provuar dhe sërish janë rikthyer në emigrim. Si mund të mos mendosh se dijet dhe kultura që ke përfituar në atë vend ku u rrite të mos i sjellësh në vendin tënd të origjinës. Si mundemi ne që të rrimë duarkryq kur në Shqipërinë tonë asgjë nuk ndryshon sa herë që kthehemi dhe e vizitojmë ndër shërbimet esenciale duke u nisur nga arsimi, shëndetësia, etj.

A është kjo një kërkesë irredentiste?

Kjo është një kërkesë natyrale ashtu si Shqipëria i takon të gjithë atyre që flasin gjuhën dhe trashëgojnë kulturën e asaj toke.

Si do ta përshkruanit organizimin e diasporës shqiptare në Itali?

Organizimi i diasporës shqiptare në Itali është besoj si gjithandej, është ajo pjesa dërmuese e shqiptarëve që nuk duan të dine për shoqata dhe organizata sepse ndjekin ëndrrat e tyre personale dhe shohin hallet familjare por të mos harrojmë se në një farë mënyre edhe ata bëhen protagonistë të aktiviteteve që organizojnë shoqatat pasi marrin pjesë në to.

Diaspora shqiptare pas 30 vitesh emigrim në një nga vendet ku jeton gati numri më i madh i qytetarëve shqiptarë në Europë, me gati 560 mijë shqiptarë dhe nga viti ne vit marrin nënshtetësinë italiane nga 12-24 mijë shqiptarë, ka arritur që të integrohet shumë mirë në kontekstin Italian pasi lehtësia në gjuhë dhe përafërsia kulturore me vendin që kemi pasur nga herët që me komunitetin arbëresh me Italinë na ka ndihmuar të ndihemi sì në shtëpi. Nuk do të thotë pak kjo për të filluar. Janë krijuar shumë shoqata dhe organizata shqiptare të cilat ndihmojnë në përhapjen e shkollave të gjuhës shqipe, një ndër promotoret e para të saj ishte dhe mbetet Znj Vitore Stefa Leka, nder i qytetit të Beratit, e vlerësuar si Nënë Tereza e Triestes për kontributet e mëdha në integrimin e emigrantëve shqiptarë dhe në zyrtarizimin e ligjeve të para të viteve ’90 mbi rregullimin dhe pajisjen me dokumenta të emigrantëve.

Do doja ndër to të veçoja “Shoqatën e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë në Itali”, “Shoqatën Ajka Esenc” të Dava Gjokës në Milano, një ndër femrat e para që patì kurajon të hapë një shoqatë shqiptare në Milano dhe u bë ndër vite një figurë shumë e vlerësuar ndër gratë emigrante të Lombardisë si Presidente e Shoqatës “Città Mondo” në Milano. Ndër të tjera do vlerësoja shoqatën Rinia në Trento të Erion Koranit që jo vetëm organizojnë dhe promovojnë vlerat shqiptare por ndihmojnë në mënyrë konkrete komunitetin shqiptar në nevojë dhe njerëzit në nevojë në Shqipëri.

Problem i madh në Itali është lidhja që disa shoqata kanë me konsullatat dhe Ambasadën Shqiptare në Itali si edhe vatrat e partive politike qe janë krijuar në diasporë, shoqata dhe individë të cilët punojnë për shtetin shqiptar edhe aty. Nuk do të kishte asgjë të keqe nëse Shqipëria nuk do të zinte një nga vendet e para në Botë për korrupsion të lartë shtetëror por unë, sipas asaj që kam konstatuar në terren falë punës time shumë prej projekteve që i kalojnë shoqatave shqiptare për të realizuar gati ua japin gjithmonë të njëjtave fondacione apo shoqatave që punojnë në kontakt të ngushtë me Ambasadën apo Konsullatat. Kjo ndodhte në Milano.

Sa ndryshon organizimi i diasporës shqiptare në Itali nga ajo në Angli?

Shqiptarët e Anglisë thuhet se janë gati 150 mijë në numër, por ka edhe shumë nga ata që s’kanë akoma dokumenta. Shumica e tyre vijnë nga vendet e veriut të Shqipërisë, Kukësi, Kalaja e Dodës, Shishtaveci, Tropoja etj.

Komuniteti shqiptar i Londrës po ndryshon shumë tani pasi shumë shqiptarë janë bërë nënshtetas Europian në vende të tjera të Europës. Pas vitesh rezidencë, kanë filluar një riemigrim të dytë, në Mbretërinë e Bashkuar. Pjesa dërmuese e shqiptarëve që transferohen në Angli vijnë nga Italia dhe Greqia. Kështu mund të flasim për një ndryshim rrënjësor edhe të vetë komunitetit shqiptar në aspektin e mentalitetit dhe kërkesave të tyre. Sigurisht që do të ishte e udhës të krijohej mundësia e një studimi të mirëfilltë sociologjik mbi këtë aspekt. Se sa e kanë trashëguar gjuhën shqipe këta qytetarë dhe si ndryshon ky aspekt nga qytetarë të një vendi te tjetri, apo edhe sjelle të tjera qe lidhen ngushtë me mentalitetin e vendeve nga vijnë këta qytetarë dhe statusi shoqëror nga vijnë. Ajo ç’ka është e rëndësishme është që të bashkohen në mes tyre të gjithë shqiptarët dhe me ane të një rrjetëzimi të mirëfilltë të arrijnë të ndërtojnë një lob të fuqishëm ku të mund të ndihmojnë njëri-tjetrin. Atëherë do të thonim se ia ka vlejtur që të rrish në një vend që të ka dhënë më shumë se çdo vend tjetër europian dhe që ti pas kaq vitesh ke mundësinë të kontribuosh në komunitet me aq sa të mundesh. Kjo vlen për ata që kane vite që jetojnë këtu.

Me italianët është ndryshe pasi shqiptarët e Italisë nuk e kanë pasur shumë të lehtë të ndërtojnë jetën vetëm me punën e tyre pa pasur ndihma të ekzagjeruara nga shteti ashtu sikurse e kanë pasur shqiptarët e Anglisë në këtë vend që u ka dhënë emigrantëve përveçse mundësinë e ndihmesës ekonomike edhe mundësinë e punësimit në çdo aktivitet pa asnjë dallim etnie, feje, nënshtetësie apo gjuhe siç mund të jetë më e dallueshme për ne shqiptarët në Itali dhe Greqi.

Çfarë kërkesash ka diaspora shqiptare në Britaninë e Madhe?

Për këtë di pak sepse jetoj këtu prej vetëm një viti por kërkesa kryesore e shqiptarëve në Angli është ajo e mundësisë së legalizimit të tyre në një vend ku nuk mund të aplikosh me dokumenta për punë sikur në Itali, për shembull apo ku nuk dalin asnjëherë nisma ligjore për të rregulluar pozicionin e emigranteve të paligjshëm. Pritet një amnisti tani mbasi Mbretëria e Bashkuar të dali përfundimisht nga BE-ja, por asgjë nuk është e sigurtë për shkak edhe të kësaj pandemie që i ka vështirësuar situata të ndryshme edhe më shumë.

Keni informacion në lidhje me gratë shqiptare të cilat jetojnë në qendrat e azilkërkuesve në Angli?

Nuk kam asnjë informacion për këtë. Nuk di shumë për këtë aspekt perverse faktit që shumë gra shqiptare që duan të legalizohen prezantohen një here që janë në territorin anglez si vajza të dhunuara. Kjo e ka rritur në statistikë numrin e vajzave të dhunuara shqiptare.

Cilat janë pikat kryesore të programit të organizatës Krahët e Shqipes?

Krahët e Shqipes lindi në diasporë nga një grup njerëzish me dëshirën e madhe për të parë Shqipërinë si një vend europian me standarde sikur në ato vende ku ata vetë jetojnë. Lind si nevojë e një ndërrimi social-politik dhe ekonomik të një Shqipërie që pas 30 vitesh të një demokracie fallco vazhdon të mbetet një nga vendet më të korruptuara në Botë. Tashmë mbas tre dekadash në emigrim, dhe nga ku një pjesë e madhe e shqiptarëve u shkolluan jashtë vendit, ka ardhur koha që diçka të ndryshojë. Shqiptarët janë bërë më të vetëdijshëm se nëse vazhdojmë të shohim të njëjtat figura politike në ekranet e shitura shqiptare ku shumica e mediave i bëjnë propagandë politikës shqiptare, dhe asgjë nuk ndryshon, ka ardhur koha që të ndryshojë. Sot ne mund të themi se jemi të njëjtët e 20 viteve më parë kur na premtohej se do votonim për të vendosur mbi të ardhmen e vendit dhe akoma se kemi arritur këtë të drejtë. Sot jemi akoma duke emigruar në vend që të krijoheshin programe të mirëfillta të rikthimit të emigrantëve shqiptarë në vend dhe të të planifikoheshin migracione circolare, pra shkëmbim eksperiencash me vende të standardeve të larta të teknologjisë, shkencës, ekonomisë dhe zanateve të ndryshme të punës. Sonte pas 30 vitesh fallco demokraci njerëzit e kanë kuptuar që politika shqiptare është po e njëjta edhe pse është e ndarë në parti të ndryshme, ku të njëjtat figura bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të mirën e tyre individuale. Disa nga pikat kryesore të “Lëvizjes Atdhetare Krahët e Shqipes janë:

– Aprovimi i ligjit Antimafia dhe konfiskimi i pasurisë të të gjithë atyre politikanëve që kane abuzuar në këto 30 vite

– Programe specifike për reformën në Arsim, Drejtësi, Shëndetësi dhe Ekonomi

– Rikthimi i koncesioneve në duar të Shtetit Shqiptar dhe jo privatëve të huaj.

-Rikthimi i pasurive natyrore shqiptare në dobi të shqiptarëve më shumë se sa të të huajve që i kanë në koncesion

-Riunifikimi i gjuhës shqipe në Diasporë

– Shpërblim për prindërit që u vendosin fëmijëve emra shqiptar

– Ribashkimi i Trojeve Shqiptare. Referendum mbarëkombëtar për ribashkim

Si do organizohet protesta e datës 20 shtator?

Protesta e datës 20 u dëshirua të realizohet nga “Lëvizja Atdhetare Krahët e Shqipes” dhe “Lëvizja Patriotike Shqiptare” të cilat në bashkëpunim të ngushtë me njëra-tjetrën hodhën idenë e “Marshimit të Shqiptarëve në Londër”. Kjo me qëllim se në një situatë politike dhe ekonomike të Shqipërisë emigrantët shqiptarë nuk duhet të rrinë në heshtje por duhet të ngrenë zërin për çdo padrejtësi apo pakënaqësi që kanë mbi menaxhimin e kësaj politike në Shqipëri.

Ka shumë organizata të diasporës shqiptare nëpër botë si është bashkëpunimi mes tyre?

Na thërrasin diaspora shqiptare, na venë këshilltarë, përfaqësues e së fundi oficerë për të na drejtuar dhe kontrolluar pa na pyetur asnjëherë se a ishim dakord. Duke vazhduar me të njëjtën politikë të emërtimeve sikur të jemi edhe ne parti. Sot ne nuk kemi asnjë marrëveshje mes shteteve ku jetojmë dhe Shqipërisë sidomos me Greqinë dhe Italinë, shembull ai i njohjes së pensioneve apo të drejtat e emigrantëve shqiptarë në çdo aspekt, dhe politika shqiptare krijon një ministri të Diasporës ku në tre vite vetëm ka krijuar pozicione dhe vende pune për militantët e saj nëpër Botë.

A ka premisa për një organizim të qendërzuar të diasporës shqiptare?

Duhet të ketë një zë Diaspora Shqiptare përsa i përket problemeve me shtetin fqinj Greqinë, ndër kushtet që Greqia i vë vendit tonë për tu anëtarësuar në BE është respektimi i të drejtave të minoritetit grek, ndërkohë që ajo vetë nuk njeh asnjë nga ato rregulla.

Shqiptarët në emigracion duhet të kenë vendin e tyre në parlament, por kjo bëhet me ndryshimin e ligjit elektoral sepse është e kotë të flasim nëse nuk ndryshon. Nuk duhet të lejojmë që të krijohen riciklime të politikës shqiptare në emër të Diasporës me njerëz të zgjedhur dhe të përkëdhelur nga këto parti që na kane drejtuar për 30 vite. Ne duhet të jemi vigjilent dhe të pranishëm në çdo marrëveshje që firmoset dhe shkruhet përsa i përket Shqipërisë dhe ne. Pika më e rëndësishme do të ishte Reforma në Drejtësi që pritet të spastrojë politikën shqiptare nga shumë politikanë të korruptuar.

Intervistoi: Ilir Copja