Bota Shtypi britanik: Zgjedhjet e reja, në qershor

Shtypi britanik: Zgjedhjet e reja, në qershor

Shtypi britanik i së dielës shkruan se kryeministrja Theresa May mund të jetë duke planifikuar zgjedhje të reja të përgjithshme në muajin qershor, ndërkohë që ajo premton se do të luftojë për Britaninë gjatë bisedimeve të javës së ardhshme në Bruksel me udhëheqësit evropianë për marrëveshjen e Brexit-it.

Këshilltarët e selisë së Kryeministrisë në Downing Street mendohet se po hartojnë planet për shtyrjen për më vonë të Nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, e cila është klauzola që starton në praktikë tërheqjen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Sipas planeve, qeveria do të sigurojë mbështetjen e Parlamentit në prill për marrëveshjen e re të Brexit-it, e cila do të negociohet me BE-në në javët e ardhshme, përpara se të kërkojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme më 6 qershor.

Në sondazhet e opinionit publik mendohet se konservatorët e kryeministres janë rreth 7 pikë përpara opozitës laburiste të Jeremy Corbyn, i cili nuk është në gjendje të hipotekojë suport publik edhe në kushtet e krizës më të rëndë të kësaj qeverie.

Gazetat “Mail on Sunday” dhe “Sunday Times” të Londrës i referohen burimeve të tyre pranë qeverisë, sipas të cilave një plan i tillë do të mbrojë kryeministren nga largimi prej detyrës nga kundërshtarët e saj, që do të donin një udhëheqës të ri britanik në kohën kur të negociohej faza e dytë e Brexit-it, dhe më konkretisht kur të negociohen detajet e marrëveshjes së re tregtare me Bashkimin Evropian.

Downing Street i mohon njoftime të tilla, duke i cilësuar si “tërësisht të pavërteta”. Ajo që po bëhet gjithnjë e më qartë në vorbullën e shumë paqartësive të divorcit britanik me BE, është fakti se Neni 50, që starton Brexit-in, ka shumë gjasa të shtyhet për më vonë për të mundësuar gjithë këto opsione të hedhura në tregun politik dhe mediatik britanik, ku mbizotëron prej kohësh një kaos dhe ambiguitet i paprecendent për çdo hap të mëpasëm.