Aktualitet Si i fikën italianët ekskavatorët në Durrës: Nuk shpëtohen njerëzit kështu

Si i fikën italianët ekskavatorët në Durrës: Nuk shpëtohen njerëzit kështu

Gazeta italiane “La Reppubblica” sjell në versionin e saj online një artikull nga misioni i një grupi emergjencash italian që mbërriti në Shqipëri disa orë pas tërmetit shkatërrues. Ky grup u vendos në zonën e ish-Kënetës në Durrës, pikërisht në rrënojat e banesës së familjes Lala, ku 8 veta mbetën të bllokuar.

“Ne nuk punojmë kështu! Nuk shpëtohen kështu jetë njerëzish!”. Me këtë citim të misionit italian e nis artikullin e saj “La Reppubblica”.

Gazeta vijon më pas duke treguar se që prej mëngjesit të së mërkurës u ndal zhurma e ekskavatorëve dhe mjeteve të tjera të rënda me të cilët po punonin grupet shqiptare të emergjencave civile.

“Që prej mëngjesit kanë mbërritur zjarrfikësit italiane, ekspertë në nxjerrjes së njerëzve pas tërmeteve dhe gjithçka ndryshoi në një zonë të Durrësit, ku një vilë zuri poshtë 8 persona. Mbërritën me qen dhe me telekamerat gjarpërinj, duke nxjerrë deri më tani një 16-vjeçar të gjallë dhe trupat e dy personave të tjerë pajetë”, thuhet në artikull.

Gazeta vijon me përshkrimin e punës gjatë misionit të vështirë. Në këtë moment pushuan të gjithë ekskavatorët. U fik vinçi me govatën e hekurt me të cilin kishin punuar gjatë të gjithë natës emergjencat civile shqiptare.

“Me përvojën që kemi, e dimë që nuk është e favorshme ndërhyrja me mjete kaq të rënda. Pëlqejmë të punojmë me mjete më të lehta, më të sakta, më precize për të identifikuar se ku ndodhen personat e bllokuar dhe me shpresën që të jenë ende gjallë njëherë”, citon “La Reppublica” grupin italian të emergjencave civile, “Usar medium”, i njëjti grup që ka operuar në Itali në zonën e Rigopianos dhe Amatriçes, në dy raste të ngjashme.

Sipas rrëfimit të “La Reppubblica” ekspertët italianë u kanë thënë homologëve shqiptarë se kanë arritur që të nxjerrin persona të gjallë nga rrënojat e shkaktuara nga tërmeti i Akuilas edhe pas gjashtë ditësh gërmime. Ata kërkuan menjëherë qetësi dhe më pas që të pyeteshin të afërm, fqinj apo persona të tjerë të zonës në përpjekje për të lokalizuar me koordinata të sakta se ku mund të gjenin personat e bllokuar nën rrënoja.

“Shpresa se mund të gjejmë një person të gjallë nuk duhet humbur kurrë. Për ne ka shumë rëndësi mbledhja e dëshmive që mund të na vënë në dijeni mbi pozicionin se ku ndodhen personat e bllokuar. Kështu punojmë më qetë, më me kujdes dhe më të saktë. Edhe në këtë rast mësuam se ndodheshin në katin e dytë, e kemi përllogaritur me përafërsi pozicionin se ku mund të gjenden, por sërish të gërmosh me eskavator, apo me vinç merimangë është me rrezik”, citohet nga ekspertët italianë nga “La Reppubblica”.

Puna vazhdon ende dhe ashtu si dikur në Rigopiano dhe në Akuila, shpresa për të gjetur persona të gjallë vazhdon ende.