Extra Si të mësoni fëmijët të mos jenë xhelozë për vëllezërit e tyre

Si të mësoni fëmijët të mos jenë xhelozë për vëllezërit e tyre

Pyetje: Kam mësuar kohët e fundit se ish-burri im dhe bashkëshortja e tij presin binjakë. Unë dhe ai kemi dy fëmijë. Një vajzë në moshën 6-vjeçare dhe një djalë në moshën 8-vjeçare, të cilët janë shumë të lidhur me babain e tyre. Shqetësimi im i vetëm është që ai do t’i kushtojë vëmendje shumë foshnjave të vogla dhe fëmijët e mi do të ndjehen sikur kanë humbur dashurinë e babait të tyre.
Një psikolog më tha që duhet të mësoja fëmijët e mi me idenë që ata duhet të jenë një ndihmesë për prindin kur vjen një fëmijë në jetë, por fëmijët e mi janë shumë të vegjël dhe mendoj se do ta urrejnë këtë detyrë të re.
Si të flas për këtë temë me fëmijët e mi?

Përgjigje: Është e vërtetë që fëmijët tuaj janë të vegjël për të marrë detyra përsipër, por ju duhet të jeni një mbështetje shumë e madhe për ta. Psikologu juaj ka pasur të drejtë dhe ju ka dhënë një sugjerim të shkëlqyer. Shpeshherë fëmijët bëhen xhelozë për vëllain ose motrën e tyre më të vogël, por kjo vjen nga pakujdesia e prindërve për sa i përket kësaj çështjeje. Gjatë gjithë kohës ju duhet t’u flisni fëmijëve tuaj më të mëdhenj se foshnjat e vogla kanë nevojë për kujdes dhe për këtë arsye babai i tyre, mund të jetë pak i zënë për disa kohë, por kjo nuk do të thotë se nuk i do. Gjithashtu, nga ana tjetër organizoni festa familjare në mënyrë që fëmijët tuaj të ndjehen të rëndësishëm. Një çështje e tillë nuk duhet të anashkalohet sepse ka raste që tregojnë se fëmijët nga xhelozia, kanë tentuar të lëndojnë vëllezërit ose motrat e tyre më të vegjël. Është detyrë e ish-bashkëshortit dhe e juaja që t’i bëni ata të ndjehen të rëndësishëm, duke kërkuar ndihmën e tyre. Për shembull, kërkojuni të rregullojnë vetë dhomën e tyre dhe flisni me ish-bashkëshortin që të kërkojë ndihmë nga ata shpeshherë. Gjithashtu, diçka e rëndësishme është edhe mënyra se si u flisni për foshnjat e vogla, duke u lexuar artikuj të shkurtër për përkujdesjen e tyre. Ndoshta fëmijët mund të jenë të vegjël por është mirë që shpeshherë të këshillohen me psikologun në mënyrë që të kuptojnë se duke pasur një familje të madhe, do të argëtohen më shumë. Lidhja e ngushtë me fëmijët tuaj, do t’i bëjë ata të kalojnë çdo fazë të jetës pa probleme. /The Washington Post/
*Carolyn Hax është këshilluese e prindërve në rrjetet sociale. /The Washington Post/