Aktualitet Si u kthye Kruja në qytetin e tretë më të prekur nga...

Si u kthye Kruja në qytetin e tretë më të prekur nga COVID-19

Nga Gjergj Erebara / BIRN

Qeveria shqiptare ka vendosur të ecë përpara me planin për rihapjen e aktivitetit ekonomik të bllokuar në shumicën dërrmuese që në mes të muajit Mars pasi infeksioni duket se është kufizuar në pjesën më të madhe të vendit, por një vatër e madhe infeksioni në një fabrikë fason në qytetin e Krujës rrezikon të kthejë përmbys situatën.

Në Shqipëri u kryen gjatë 24 orëve të fundit deri në mesditën e së Mërkurës 252 testime të personave të dyshuar nga të cilët, 25 rezultuan pozitivë. Por 18 nga këto raste të reja i përkasin Krujës dhe 1 rast Kurbinit. Kruja u ngjit në vend të tretë në listën e qyteteve më të prekura pas Tiranës dhe Durrësit me 58 raste në total, ndërsa zona e Kurbinit shënoi në total 28 raste. Megjithëse statistikisht të prekurve në rrethin Kurbin i referohen si të tillë, në fakt shumica e tyre i përkasin fshatit Borizanë, i cili është fare pranë Krujës dhe të prekurit lidhen me po të njëjtën fabrikë fason.

Në total në Shqipëri numri i të prekurve me COVID-19 arriti në 634 raste, nga të cilët, 356 vetë janë shëruar dhe 27 kanë humbur jetën. Gjatë kësaj periudhe në Shqipëri kanë humbur jetën edhe tre qytetarë të tjerë të infektuar me COVID-19, por Ministria e Shëndetësisë i ka përjashtuar nga statistikat e COVID-19 me argumentin se kanë vdekur nga shkaqe të tjera dhe jo nga komplikime të shkaktuara nga koronavirusi i ri.

Ndërsa numri i rasteve të reja në Krujë po rritet me shpejtësi, zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli theksoi të Mërkurën se në pesë qytete të prekura më herët nga pandemia nuk ka më raste aktive, duke dhënë shpresa për eliminimin e infeksionit në këto zona.

“Berati, Lezha, Mirdita, Rrogozhina dhe Tropoja janë zona ku të gjithë të prekurit janë shëruar”, deklaroi Rakacolli ndërkohë që edhe në qytete të tjera nuk janë shënuar infektime të reja prej shumë ditësh.

Shqipëria vendosi mbylljen e pjesës më të madhe të aktivitetit ekonomik në vend nga mesi i Marsit dhe mbylljen në shtëpi të popullsisë me qëllim që ruajtja e distancave shoqërore të pengonte përhapjen e koronavirusit të ri. Mbyllja e aktivitetit ekonomik jothelbësor për disa javë bëhet me synimin që të sëmurit e prekur nga koronavirusi të mund të shërohen pa shkaktuar infektime të mëtejshme.

Megjithatë kryeministri Edi Rama refuzoi mbylljen e të gjithë aktivitetit ekonomik, përfshirë industrinë e ndërtimit, fabrikat dhe minierat, me argumentin se kostoja ekonomike do të bëhej tepër e lartë.

Shumë prej fabrikave fason në Shqipëri, të cilat realizojnë mbi 900 milionë euro eksporte në vit, u mbyllën pavarësisht lejes për të operuar për shkak se kërkesa për krahun e lirë të punës të punëtorit shqiptar nga Italia e vende të tjera ra me shpejtësi. Por në disa raste, puna nëpër këto fabrika vijoi. Modeli i punës në fabrika të tilla mbart rreziqe të shtuara për shkak se punëtorët rrallëherë banojnë pranë fabrikave dhe në shumë raste, fabrikat organizojnë transport për ta nga zonat e varfra nga ku furnizohen punëtorët, për te fabrikat.

Krahas fasonerisë së Krujës, një rast tjetër në Elbasan raportohet nga media si rast i lidhur me një fabrikë tjetër fasonerie, duke rrezikuar çuarjen dëm të afro 6 javëve izolim dhe paralizë ekonomike të vendit.