Duke parë pasojat që ka shkaktuar koronavirusi i ri, njerëzit janë detyruar të marrin masa ekstreme për të mbrojtur veten. Nëpër rrjete sociale janë shpërndarë foto të njerëzve që kanë vendosur si maska bidona uji, ndërsa të tjerë janë mbuluar me qese plastike.
Në një foto duket një grua e cila pret bagazhet në një aeroport. Në kokë, ajo ka vënë një bidon.
Ndërkohë një person që fluturonte me avion nga Shanghai për në Perth të Australisë mban një kokore motori për t’u mbrojtur.
Anëtarët e një tjetër familjeje janë fotografuar duke pritur në aeroport të mbuluar me qese plastike.
Këto masa mbrojtëse po shpërndahen në të gjithë Kinën, ndërkohë që numri i të vdekurve nga virusi kinez po rritet dita-ditës me shpejtësi. Deri më sot janë regjistruar mbi 130 viktima ndërsa janë mbi 6000 raste të konfirmuara.
Nuk ka ende vaksinë për koronavirusin, por ekspertët e shëndetit i kanë kërkuar njerëzve që të lajnë duart rregullisht, të mbulojnë gojën dhe hundën kur teshtijnë ose kolliten dhe të shmangin shpërndarjen e ushqimeve dhe ujit.