Bota Skandali Cummings, ulet ndjeshëm besueshmëria e britanikëve për Johnson

Skandali Cummings, ulet ndjeshëm besueshmëria e britanikëve për Johnson

Kryeministri britanik, Boris Johnson, i përfshirë në skandalin e shkaktuar nga shkelja e karantinës të këshilltarit kryesor, Dominic Cummings, u përball sot me një sondazh katastrofik për kampin e tij, përpara se të fliste para deputetëve.

Në faqen e parë të gazetave që prej pesë ditësh, stuhia e shkaktuar nga Dominic Cummings, i konsideruar si truri i fushatës për referendumin e vitit 2016 që përfundoi me Brexit, ka rritur zemërimin e opinionit publik.

Një sondazh i “YouGov” për të përditshmen “The Times” tregon që mbështetja e publikut për Partinë Konservatore të Boris Johnson ka rënë me nëntë pikë në një javë duke arritur tashmë në 44%. Partia kryesore e opozitës, ajo Laburiste, ka fituar pesë pikë duke arritur në 38% për të njëjtën periudhë.

Brenda kampit konservator, rreth 40 deputetë kërkuan largimin e tij  dhe një sekretar shteti dha dje dorëheqjen duke shpjeguar se nuk mund të mbronte këshilltarin, ndërkohë që disa banorë të lagjes së tij nuk kanë mundur të vizitojnë të afërmit e tyre të sëmurë sepse ata respektonin rekomandimet e qeverisë.

Përballur me këtë goditje të pashembullt që nga triumfi i tij elektoral në dhjetor, Boris Johnson do të paraqitet me video-konferencë para Komitetit Ndërlidhës të Dhomës së Komuneve rreth orës 15:00 GMT për një orë e gjysmë seancë pyetjesh.

Shpjegimet nga Dominic Cummings, se ai kishte shkuar në shtëpinë e prindërve të tij në Durham, 400 kilometra nga Londra në veri të Anglisë pasi kishte pasur frikë mos kishte qenë i infektuar me koronavirus dhe po kërkonte një zgjidhje për kujdesin e fëmijëve të tij, nuk kanë qenë bindëse.