Bota Solidarizimi nga Greqia: Të gjithë jemi shqiptarë

Solidarizimi nga Greqia: Të gjithë jemi shqiptarë

Greqia është një nga shtetet që dërgoi në Shqipëri ekipin e specializuar të emergjencave për të shpëtuar qytetarët e bllokuar poshtë rrënojave të ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti.

Ekipet greke dhanë ndihmesë të çmuar duke nxjerrë të mbijetuar nga gërmadhat e pallateve, ashtu sikurse kolegët e tyre nga Kosova, Italia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Franca, Zvicra, etj.

Në Greqi ka patur solidarizim të madh për fatkeqësinë që goditi Shqipërinë. “Të gjithë jemi shqiptarë” është një artikull i botuar në median greke “Zougla.gr” nga gazetari Giorgos Mihalakas.

“Tërmeti vdekjeprurës në Shqipëri, historitë tragjike, shqiptarët që shprehin dhimbjet e tyre duke folur greqisht, shpëtimtarët dhe vullnetarët grekë të cilët nxituan për të ndihmuar fqinjët tanë dhe për t’i qetësuar sa më shumë në tragjedinë e tyre, lotët që rrjedhin nga sytë grekë për zinë shqiptare, vdekja vjen për të na kujtuar kuptimin e jetës… Në fund të fundit, ne jemi të gjithë grekë, ne jemi të gjithë shqiptarë, ne jemi të gjithë njerëz”, shkruhen në një fragment të artikullit të gazetarit grek Giorgos Mihalakas.

“Dhimbja njerëzore është për të gjithë. Kudo shpërndahen rroba, disa marrin iniciativë dhe ofrojnë ushqim. Në qendër të qytetit të Durrësit, dy kuzhinierë të ushtrisë greke shërbejnë vakte në drekë dhe në darkë. Shqiptarët vazhdimisht falenderojnë grekët. Ata flasin gjuhën tonë sepse kanë punuar për vite me radhë në vendin tonë, dhe siç na thonë, është një shtëpi e dytë për ta”, shkruan ndër të tjera agjencia greke e lajmeve “ANA-MPA”, artikull i botuar edhe nga e përditshmja greke “Kathimerini”.

Ekipi kryeqytetas grek “Panathnaikos” është solidarizuar gjithashtu me fatkeqësinë që la pas tërmeti katastrofik.

“Dhimbja e shpirtit tuaj është edhe e jona. Vajtojmë për dhjetra viktimat që humbën jetën në tërmetin vdekjeprurës në Shqipëri”, shkruhet në faqen zyrtare në Facebook të ekipit të futbollit “Panathinaikos”, duke shpërndarë edhe një fotografi ku shkruhet “Pray for Albania” (Lutuni për Shqipërinë).

Edhe tifozët e ekipit tjetër grek të futbollit, PAOK, u angazhuan për të mbledhur ndihma për Shqipërinë.

“Mbështesim përpjekjet e tifogrupit të PAOK për të dhënë mbështetjen për Shqipërinë. Së bashku mundemi ta bëjmë botën më të mirë”, shkruan në Facebook ekipi i PAOK që ka shpërndarë njoftimin e tifogrupit të tyre ku bëhet apel për ndihma.