Kryesore Sot opozita proteston kundër qeverisë, mbështetës edhe nga rrethet

Sot opozita proteston kundër qeverisë, mbështetës edhe nga rrethet

Partia Demokratike proteston sot kundër qeverisë Rama në një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” që nis në orën 12:00.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e akuzon kryeministrin Edi Rama për çështjen “McGonigal”.

Në protestë kanë deklaruar se do të jenë të pranishëm e gjithë opozita, ndërsa një ditë më parë Berisha tha se nuk janë të ftuar vetëm Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj.

Për protestën, Policia e Tiranës ka marrë masat për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë, duke filluar me bllokimin e disa rrugëve.

Duke filluar nga ora 06:00 nuk lejohet parkimi i automjeteve, në Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Gjithashtu, në këto rrugë do të bllokohet qarkullimi i automjeteve nga ora 10:00 deri në përfundim të tubimit.

Ndërkohë në protestën e sotme mësohet se do të bashkohen edhe mbështetës të Partisë Demokratike nga rrethet si Berati, Fieri, Korça, Saranda, Elbasani, Durrësi dhe Kruja.