Aktualitet SPAK cakton Ilir Pandën relator për “Gërdecin”, do të vendosë nëse do...

SPAK cakton Ilir Pandën relator për “Gërdecin”, do të vendosë nëse do ketë rihetim

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar gjyqtarin Ilir Pandën si relator të çështjes “Gërdeci”, e rihapur për hetim me vendim të Gjykatës së Lartë.

SPAK, tri javë më parë kërkoi rihapjen e hetimeve për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu pas depozitimit të kërkesës së prindërve të një 7-vjeçari që humbi jetën në ngjarjen tragjike të Gërdecit.

Zamira Durdaj, e cila humbi të birin, kallëzoi në SPAK ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Sipas saj çështja “Gërdeci” është hetuar nga një “bandë” ndaj kërkon që të vendoset drejtësi.

Ndërsa vetë kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu e ka cilësuar çështjen me prapavijë politike.

Në shtator 2009, Gjykata e Lartë pushoi çështjen ndaj ish-ministrit për shkak të imunitetit që gëzonte si deputet. Ndryshimet ligjore të vitit 2012 dhe 2017 kanë ndryshuar imunitetin parlamentar të të zgjedhurve, ndaj ndjekjeve penale, hetimit apo gjykimit të tyre dhe pikërisht kërkesa e SPAK për të rihapur hetimet bazohet në këto ndryshime.

Shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec, shkaktoi vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave, dëmtime të parëndësishme për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore.