Kryesore SPAK kërkon arrestimin Ahmetajt, Bardhi përplaset me Felajn: Ke frikë se është...

SPAK kërkon arrestimin Ahmetajt, Bardhi përplaset me Felajn: Ke frikë se është emri yt në dosje

Në kryesinë e Kuvendit është mbledhur Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit për të vendosur nëse do t’i hapë rrugë arrestimit të Arben Ahmetajt pas kërkesës së SPAK që mban datën 7 korrik 2023.

Mbledhja është ndërprerë pasi opozita kërkon që të mbahet me dyer të hapura. Ndërkohë vetë SPAK ka kërkuar që të mbahet me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor.

Në Kryesi ka mbërritur vetë prokurori i çështjes, kreu i SPAK, Altin Dumani dhe një tjetër prokuror. Ndërsa vetë ish-ministri Arben Ahmetaj ka munguar dhe ka dërguar dy avokatët e tij. Dy avokatët kanë kërkuar që mbledhja të zhvillohet nesër për shkak të dosjes voluminoze, 400 faqe.

Gjatë debatit mes Gazmend Bardhit dhe Ermonela Felaj nëse seanca duhet të zhvillohej e hapur për publikun apo jo, sekretari i përgjithshëm i PD dhe kryetari i Grupit Parlamentar i është përgjigjur deputetes socialiste Felaj duke i kujtuar se emri i saj është në dosjen e sjellë nga SPAK.

“Emri yt është në këtë dosje. Ti ke frikë sepse emri yt është në dosje. Lëri njerëzit të kuptojnë që ti njësoj si Ahmetaj ke qenë pro ndërtimit të inceneratorëve. Je në konflikt interesi!” u shpreh Bardhi në debat e sipër

“Mazhoranca ka frikë që shqiptarët të mësojnë të vërtetën për inceneratorët! Mazhoranca po ndihmon Ahmetaj që të arratiset dhe SPAK mos ta kapë atë”, tha Bardhi.