Aktualitet “Eksploruesja e Deteve” me 2700 turistë të huaj mbërrin në Sarandë

“Eksploruesja e Deteve” me 2700 turistë të huaj mbërrin në Sarandë

Në kulmin e sezonit turistik, kur operatorët presin edhe fluksin më të madh të turistëve të huaj, në bregdetin shqiptar është ndalur një prej kroçerave më të mëdha e më luksoze në qarkullim.

Sipas një postimi të kryeministrit Edi Rama në Facebook, e famshmja “Explorer of the Seas Cruise” me 2700 turistë nga e gjithë bota në bord, ka mbërritur në Sarandë.

Kjo është hera e parë që kjo kroçere, e cila operon nën drejtimin e kompanisë Royal Caribbean Cruises Ltd, ndalet në bregdetin shqiptar.

“2700 turistë nga e gjithë bota mbërrijnë në Sarandë me të famshmen “Explorer of the Seas Cruise”, duke u prezantuar për herë të parë me kartolinën e bregdetit shqiptar që edhe këtë verë po mikpret shifra rekord vizitorësh”, shkruan Rama përkrah videos që shoqëron postimin.

Sa i përket “Eksplorueses së Deteve”, ndërtimi i saj përfundoi në vitin 2000 dhe ka një kapacitet prej 3000 pasagjerësh.

Në momentin e daljes së parë në det, Explorer of the Seas kishte një tonazh prej 137,308 GT, duke e tejkaluar atë të kroçeres simotër Voyager of the Seas, dhe duke e bërë asokohe anijen më të madhe të pasagjerëve në botë, deri kur rekordi u thye në 2015.