Aktualitet SPAK: Vendimin për arrestimin e Alqi Bllakos e dërguam në orën 15:45,...

SPAK: Vendimin për arrestimin e Alqi Bllakos e dërguam në orën 15:45, policia e ekzekutoi në orën 03:30

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nëpërmjet një njoftimi ka sqaruar arrestimin e ish-deputetit Alqi Bllako. Në të thuhet se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar për masën e sigurisë “arrest me burg” për Alqi Bllakon i është vënë në dispozicion SPAK në orën 15:30 të ditës së djeshme (31 Mars 2022).

15 minuta më vonë (ora 15:45), SPAK thotë se vendimin e gjykatës ia ka dhënë për ekzekutim strukturave të Policisë së Shtetit. SPAK thotë më tej se vendimi është ekzekutuar nga policia në orën 03:30 të datës 1 Prill.

“Me vendimin Nr.26, datë 31.03.2022, Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg”, për shtetasin Alqi Bllako. Vendimi është vënë në dispozicion të Prokurorisë së Posaçme në orën 15.30 të datës 31.03.2022. Në orën 15.45, të datës 31.03.2022, vendimi i gjykatës për caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasit Alqi Bllako i është dhënë për ekzekutim strukturave të Policisë së Shtetit. Vendimi është ekzekutuar nga Policia e Shtetit në orën 03.30 të datës 01.04.2022”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Ndër të tjera, Prokuroria e Posaçme thotë se ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë që ish-deputeti të mbahej në mbikëqyrje prej datës 30 Mars.

“Me shkresën Nr.2407/4 Prot., datë 30.03.2022 kemi njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në lidhje me kërkesën e paraqitur në Kuvend për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit Alqi Bllako, duke i kërkuar mbajtjen nën mbikqyrje të deputetit dhe njoftimin e prokurorit të çështjes nëse deputeti do paraqitej në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Ditën e djeshme nuk pati asnjë njoftim zyrtar për shoqërimin e ish-deputetit pavarësisht se GJKKO vendosi arrest me burg për të. Vendndodhja e ish-deputetit mbeti mister deri në orën 07:28 të mëngjesit të kësaj të premteje (1 Prill). Përmes një njoftimi për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit informoi publikun se Bllako ndodhej në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.