‘Incidenti’ me avionin e NATO-s nga Gjermania, anuloi fluturimin për shkak të motit
Fillimi i punës për transformimin rrënjësor të aeroportit ushtarak të Kuçovës, për ta shndërruar atë në bazën e parë të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, solli në Tiranë edhe Komandantin e forcës ajrore të NATO-s, gjeneralin Tod Wolters.
Për të shënuar këtë datë të veçantë, ishte parashikuar që mbi qiellin e Tiranës të fluturonin sot rreth orës 11:00, 5 avionë të NATO-s, mes tyre avionë luftarakë dhe avionë të mëdhenj kontrolli.
Zhurma e tyre e fortë u ndje në kryeqytet, por në flotën ajore të Aleancës së Atlantikut të Veriut mungonte një nga avionët.
Spektakël dhuruan vetëm 2 avionë F – 16 dhe 2 Eurofighter F – 2000 A, ndërsa mungonte në mesin e tyre “gjigandi” AWACS (Avioni i veçantë i NATO-s me sistem radari në bord).
Sipas Report Tv, ky avion do të vinte nga Gjermania, por moti i keq me akull e ngrica e ka bllokuar në aeroport dhe ardhja e tij nuk u bë e mundur.
Mësohet se edhe pse ekipi i NATO-s u përpoq të ngrinte avionin në fluturim, kushtet atmosferike e bën të pamundur udhëtimin. Në Tiranë fillimisht u dha sinjali se avioni do të vonohej rreth 1 orë e 30 minuta, por më pas u sqarua se fluturimi u anulua.