Shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se ekzistojnë 3 lloje të mëdha të koronavirusit që po infekton njerëzit në të gjithë botën. Kjo hartë gjenetike e koronavirusit u hartua me kampionë të marrë nga 24 dhjetori deri në 4 mars ku u zbuluan 3 variante të dallueshme, por të lidhura ngushtë me njëra–tjetrën.
Janë studiuesit nga Universiteti i Kembrixhit që zbuluan se virusi që tani gjendet në Wuhan, Kinë dhe Azinë Lindore (e konsideruar si pika zero për shpërthimin) nuk është virusi origjinal. Në këto vende shihet virusi i tipit B që e ka burimin nga virusi origjinal SARS-CoV-2 i cili kaloi te njerëzit nga lakuriqët përmes pangolinëve.
Tipi A i virusit është tashmë më i përhapuri në Amerikë dhe Australi. Një variant tjetër, i quajtur tipi C, e ka origjinën nga tipi B i Ëuhanit, dhe u përhap në Evropë përmes Singaporit. Shkencëtarët besojnë se virusi mund të jetë vazhdimisht duke pësuar mutacione për të kapërcyer nivele të ndryshme të rezistencës së sistemit imunitar në popullata të ndryshme.
Dr. Peter Forster, një bashkëpunëtor i Institutit të Kërkimeve Arkeologjike në Kembrixh i tha “Daily Mail” se ekipi i tij filloi të gjurmonte evolucionin e virusit në shkurt, pasi u bë e dukshme se përhapja ndërkombëtare ishte e pashmangshme. Në total u studiuan 160 gjenomë të virusit. Këto përmbajnë mostra prej rasteve të para në Evropë dhe Amerikë.
“Shumica e rasteve në Wuhan janë të tipit B ndërsa një lloj C i rrjedhur më vonë u shfaq dhe u përhap fillimisht përmes Singaporit në Europë. Tipi A është më i afërti me atë që gjendet te lakuriqët dhe pangolina dhe konsiderohet të jetë rrënja e shpërthimit të pandemisë. Ajo u gjet në Ëuhan, por nuk ishte varianti më mbizotërues i qytetit” – tha Foster.
Dr Forster thotë se koronavirusi pësoi mutacion nga lloji A në B dhe në formën B, ai është më komod në sistemet imunitare të njerëzve në vendet e Azisë Lindore.
“Por, në Evropë ose Australi historia e imunitetit ndryshon për shkak të ekspozimit ndaj sëmundjeve të ndryshme me kalimin e kohës. Tipi B i virusit mund të mos lulëzojë jashtë Azisë Lindore dhe ka mundësi që ai ka pësuar mutacion për të mbijetuar në popullata të ndryshme. Tani jemi duke analizuar 1 000 gjenome të tjera SARS-CoV-2 për të konfirmuar këtë pasi shkalla e mutacionit duket se rritet jashtë Kinës”, shtron Foster.
Varianti C ka rrjedhur nga tipi B dhe është lloji kryesor i virusit në Europë dhe që gjendet tek pacientët e parë në Francë, Itali, Suedi dhe Angli. Studimi i Dr Forster nuk është botuar ende, por si sugjeron se infeksioni i parë dhe përhapja mes njerëzve të COVID-19 ndodhi në mes të shtatorit dhe fillim të dhjetorit. Shkencëtarët argumentojnë se këto metoda mund të ndihmojnë në parashikimin e pikave të nxehta globale në të ardhmen të transmetimit dhe rritjes së sëmundjeve.