Opinione Tahiri, viktimë e politikës, pakujdesisë apo shërbimeve sekrete..

Tahiri, viktimë e politikës, pakujdesisë apo shërbimeve sekrete..

Në vitin e largët 2005 kur kundërshtarët e tij në pati e akuzonin për uzurpim, Rama iu përgjigjej se vetëm Saimir Tahirin kam prurë në këtë parti. Askujt nuk i besohej ato kohë se djali trupvogël dhe me syze, shumë shpejt do bëhej figurë qendrore e asaj partie.Ish-drejtori i kabinetit i Ramës do t’i ngjiste shpejt shkallët e karrierës. Ishte njeriu i tij i besuar.Për ta vënë në provë politikisht, Rama në zgjedhjet e vitit 2009 i ngarkon zonën  e Kombinatit. Ja del mbanë dhe zgjidhet deputet pikërisht aty ku dikur kishte humbur një ministër i Brendshëm.Pas kësaj, ai është njeriu hije i Edi Ramës. Nëse duhet protestuar për Ruzhdien, Saimir Tahiri është aty.

Nëse duhet protestuar në 21 Janar, Saimir Tahiri është mes demonstruesve të majtë. Nëse duhet protestuar për të vrarët, ai është organizator dhe koordinator. Momenti kur ai merr krejtësisht frenat e kryeqytetit ishte humbja e bashkisë së Tiranës në vitin 2011. Por duhet të vinte viti 2013 për të shfaqur talentin e tij organizativ, të cilin e rikonfirmoi në vitin 2017 kur arrin një rezultat spektakolar në Tiranë.Dhe në mes katër vjetëve, ai është ministri i parapëlqyer i Edi Ramës. Ai është më i suksesshmi, njeriu që e nxori policinë nga bataku, vendosësi i rregullit dhe disiplinës në hapësirën shqiptare. Ngjarje si ajo e Xibrakës ku një aksion ndërkombëtar policor për trafik drogash të rënda ndërpritet për arsye ende të panjohura nga policia shqiptare, nuk ia prishin shkëlqimin.Pas aksionit në Lazarat ai ishte edhe ministri më i mirë. Por ky është zeniti i tij.Viti 2015, ishte viti i detantës. Opozita ishte e pafjalë. Madje edhe Erion Veliaj, shemra e gjithhershme, i shtrin dorën. Pa Tahirin dhe makinën e tij partiake nuk mund të fitonte Bashkinë e Tiranës. As lufta e ftohtë me Kryetarin e Parlamentit nuk i prekte shkëlqimin.

Derisa do vinte viti 2016 kur bashkë me opozitën, edhe shumë zëra të tjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë filluan të akuzonin për ringjallje të fenomenit të hashashizimit të vendit.Ishte viti 2017 kur filloi edhe rënia e yllit të tij. Akuzave për indiferencë të qëllimshme të luftës ndaj hashashit i shtohen ato për lidhjet me bandat. Akuzat për bashkëpunim me trafikantë, e bazuar tek shitja e një makine të tij tek njerëz me probleme me ligjin, ringjallen.Ndërkohë opozita ishte futur në çadrën përballë kryeministrisë.

Viktima e parë e saj ishte koka e Saimir Tahirit e cila thuhej se kërkohej edhe nga të huajt. Por Rama u kujdes që shkarkimin e tij ta shoqëronte edhe me tre koka të tjera. Ish-ministri i Brendshëm ishte tepër i vlefshëm për zgjedhjet. Ishte ai personi kyç, që me emërimet në komisariate dhe politikat direkte, kishte krijuar rrjetin që do ti siguronte Ramës një fitore më të madhe sesa katër vjet më parë.Por festa ngjante e prishur. Tahiri nuk konfirmohet në qeverinë e re. Fat që duket se nuk e pret mirë. Por e gjitha do të ishte asgjë nëse krahasohet me çfarë e priste. Nga Italia vjen dosja që mbërthente një bandë shqiptare. Ishin pikërisht Habilajt, ata të cilëve katër vjet më parë ju kishte shitur makinën.E rastësishme kjo dosje? Ngjan pak e vështirë që një dosje hetimore e prokurës së Katanias të rrëshqasë në një sajt periferik italian dhe prej aty në Tiranë. Ndërkohë Prokuroria shqiptare fillon menjëherë procesin dhe kërkon arrestimin e tij. E veçantë kjo për një prokurori që i ka kaluar nën hundë brejtës shumë më të mëdhenj se një denoncim portalesh dhe nuk i ka dalë gjumi. Por kërkon kokën e një politikani të rëndësishëm të partisë në pushtet vetëm pse përmendet dy herë emri i tij në përgjimet telefonike.Por diçka e madhe lëviz. Edi Rama ngjan i trembur dhe deklaron se çfarë ka bërë Tahiri, ai nuk ka dijeni. Tahiri vetë shfaqet i rrënuar në ekrane. Por kjo për pak orë. Lojtarë të rëndë po fillojnë të lëvizin. Ambasadori Amerikan në Tiranë shkon në rezidencën e homologut të tij italian. Fatmir Xhafa, niset urgjent për Romë. Kjo lëvizje e ethshme ngjan se e jep një rezultat Saimir Tahiri trimërohet ndërsa socialistët vendosin mos t’ia dorëzojnë prokurorisë.

Mundësitë janë që ose materiali hetimor nuk ka gjë tjetër për Tahirin, ose Shtetet e Bashkuara ia kanë dalë ta mbajnë akoma mbi rërërat e lëvizshme qeverinë e Ramës. Por italianët ngjan se nuk e kapërdijnë kollaj. Vetë ministri i brendshëm i tyre vjen në Tiranë dhe ka një gjuhë prej prokurori antimafie. Tek ne nuk ka të paprekshëm, ishte fraza që u mbajt mend. Megjithatë nuk është një ultimatum. Është një paralajmërim i fundit.Nga ajo që mund të lexohet është se amerikanëve iu duhet ende kjo qeveri, kurse italianët dhe grekët e kanë gëlltitur rishtas bretkosën. Gjermanët nuk janë ndierë. Por ujërat turbullohen prapë. Një kontroll i policisë shqiptare, asaj policie që ende i trembet Tahirit,  gjen patentat e tij në kroskotin e një makine që transportonte gati një milion dollarë. Që këndej ngjarja fillon rishtas dhe mjegullohet.

Ky fakt nuk e prek Tahirin ligjërisht. Por asgjë nuk është më e thjeshtë për njeriun i cili dikur peshonte më shumë se e gjithë qeveria. Dikush është i pakënaqur që rrjedha e ngjarjeve mori këtë drejtim. A janë agjencitë e huaja të zbulimit që dekonspirojnë një fshehje parash? A janë shtete të cilat kanë dalë të pa kënaqur nga ky përfundim dhe e duan qeverinë të rrëzuar? Gjithçka mbetet për tu zbuluar. Sepse loja sapo ka filluar./ Editorial i Arena në  Ora News