Bota Të shkosh për turizëm në Britani do bëhet mision i vështirë, karantinë...

Të shkosh për turizëm në Britani do bëhet mision i vështirë, karantinë e detyruar për të gjithë

Në qoftë se keni patur një ide të vizitoni Londrën këtë verë, sapo të hapen sërish fluturimet e bllokuara nga pandemia e COVID-19, ndoshta duhet ta mendoni sërish atë udhëtim.

Kjo sepse mund të jetë vërtetë e mundimshme, në mos e pamundur të shkosh në ishullin britanik, të paktën si turistë.

Qeveria britanike zbuloi se nga data 8 qershor, të gjithë personat, britanikë ose jo, që vijnë nga vende të ndryshme do të duhet të shkojnë në një karantinë të detyruar për dy javë. Nga marrëveshja përjashtohen vetëm Irlanda dhe disa vende të zonës së Commonwealth.

Të gjithë personat në karantinë duhet të deklarojnë në kufi adresën ku duan të kryejnë karantinën, dhe parashikohet që policia të kontrollojë disa prej tyre në mënyrë rastësore.

Për abuzuesit parashikohen gjoba të majme, nga një mijë sterlina deri në shifra me pesë zero.  Të huajt që do të refuzojnë karantinën nuk do t’ u lejohet hyrja, dhe do të dëbohen ata që do të përsërisin shkeljet.

Vetëm disa kategori, si mjekët dhe personeli shëndetësor, diplomatët por edhe disa punëtorë sezonalë të domosdoshëm, do të përjashtohen nga kjo praktikë.

Vendimi ka gjeneruar dyshim edhe polemika brenda dhe jashtë vendit. Sektori i turizmit në Britani pritet të ketë një goditje vrastare, që do të përfshijë edhe kompanitë ajrore, por qeveria mendon se humbjet do të balancohen disi me ngritjen  e turizmit të brendshëm.

Të irrituar duken edhe vende që janë destinacione të natyrshme të turizmit. Franca kërcënoi se mund të marrë vendime reciproke për qytetarët britanikë, siç deklaroi ministri i Brendshëm francez Christophe Castaner.