Kryesore Të shtëna pranë Shtëpisë së Bardhë, momenti kur Trump largohet nga konferenca...

Të shtëna pranë Shtëpisë së Bardhë, momenti kur Trump largohet nga konferenca live

Të shtëna jashtë Shtëpisë së Bardhë bënë që presidenti amerikan, Donald Trump të largohej papritur nga konferenca e tij për shtyp disa minuta pasi kishte filluar.

Presidenti e la konferencën e shtypit në Shtëpinë e Bardhë rreth tre minuta pasi filloi të fliste, pasi një agjent nga shërbimi i sigurisë i kërkoi që të dilte.

“Kishte të shtëna jashtë Shtëpisë së Bardhë”, u tha Trump gazetarëve pasi u kthye disa momente më vonë.

“Oficerët e zbatimit të ligjit qëlluan dikë, duket se është i dyshuari. Ai është duke shkuar në spital… Unë nuk mund t’ju them gjendjen e të dyshuarit”, tha Trump.

Ai tha se situata ishte “nën kontroll” dhe se ”askush tjetër nuk u lëndua gjatë incidentit”.

Shërbimet sekrete thanë më vonë në Twitter se një nga oficerët ishte dërguar gjithashtu në spital si rezultat i të shtënave.

“Kjo është shumë e pazakontë”, tha Trump.

Presidenti tha se ai besonte se i dyshuari ishte i armatosur, por nuk i dinte detajet e plota, siç është lloji i armës ose nëse ai ishte synimi i të shtënave.

Trump vlerësoi shërbimet sekrete dhe tha që ndjehej i sigurt.