Aktualitet “Telefoni nuk është për këto biseda”, SPAK: Përgjimi tregon si Tushe shpërdoroi...

“Telefoni nuk është për këto biseda”, SPAK: Përgjimi tregon si Tushe shpërdoroi detyrën

Prokuroria e Posaçme, SPAK, në dosjen për arrestimet në Bashkinë Lushnje, tregon se si kreu i këtij institucioni, Fatos Tushe, ka shpërdoruar detyrën.

Në dosjen e SPAK, Tushe është kapur duke folur në telefon me një person tjetër dhe i premton atij se do t’i zgjidhë një problem që kishte me inspektorët e ndërtimit.

“Për gjykatën në lidhje me këtë episod u njoftua se shtetasi Fatos Tushe komunikon me një person me emrin Ismail Blliku, me numër telefoni xxxx, më të cilin bisedon lidhur me një ndërtim që po kryen ai në fshatin Shegas dhe për faktin se një inspektor i quajtur F.L. i ka ndërprerë punimet. Ndërkohë që shtetasi Fatos Tushe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë i thotë që t’i flasë në emrin e tij“, sqarohet në dosje.

Ismail Blliku: Përshëndetje kryetar, jam Ismail Blliku, nga Shegati, kemi biseduar bashkë, kam ulur një palë shtëpi aty dhe më ka ardhur Fatos Lulja dhe më ka pezulluar punimet.

Fatos Tushe: Mirë, mirë, i thuaj që kam folur me kryetarin dhe telefoni… të thashë unë me duket… ky telefon nuk është për këto lloj bisedash merre rrugën… ja ku është Shegasi dhe hajde më thuaj mua këtu. telefoni nuk është për këto lloj bisedash… hajt.

Ismail Blliku: Dakord, dakord.

Fatos Tushe: Hajt.

Më tej në dosje sqarohet se Blliku ka ndërtuar një objekt një katësh dhe pikërisht për këtë objekt ka kërkuar ndërhyrjen e Fatos Tushes që të mos kishte probleme me inspektorët e bashkisë.

Po ashtu sqarohet se Ismail Blliku ka komunikuar dhe me persona të tjerë dhe ka kërkuar ndërhyrjen e tyre për t’i zgjidhur problemin.