Politika Tenderat sekretë, ministria e Shëndetësisë: Të hapur për organet e drejtësisë, dosjet...

Tenderat sekretë, ministria e Shëndetësisë: Të hapur për organet e drejtësisë, dosjet edhe në SPAK

Pas akuzave në lidhje me tenderat sekretë reagon ministria e Shëndetësisë duke deklaruar se këto tendera janë të hapura për organet e drejtësisë.

Ministria e shëndetësisë bën me dije se ditën e djeshme ka firmosur shkresa përcjellëse me dokumentacionin e të gjitha procedurave të kërkuara nga organet e drejtësisë.

“Në vijim të një artikulli të botuar sot në media, informojmë qytetarët se në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, më datë 8 Maj 2020 është firmosur shkresa përcjellëse (faksimile bashkëlidhur) me dokumentacionin e të gjitha procedurave të kërkuara nga organet e drejtësisë. Siç e kemi deklaruar nga dita e parë, jemi të hapur për hetime nga organet e drejtësisë. E vërteta është se asgjë nuk është fshehur dhe dosjet janë në dritën e diellit. Që prej datës 27 Prill, në Ministrinë e Shëndetësisë po vijon punën Kontrolli i Lartë i Shtetit, për të gjitha procedurat e zhvilluara në situatën e pandemisë, për mjetet e nevojshme për mbrojtjen e stafeve mjekësore dhe aparaturat jetëshpëtuese për pacientët e prekur nga COVID19.” – njofton ministria e Shëndetësisë.

Po ashtu, ministria e Shëndetësisë thekson se i ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin që i është vënë në dispozicion Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe SPAK.

“Stafi i Ministrisë së Shëndetësisë ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin që i është vënë në dispozicion Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të njëjtën gjë po bën edhe me SPAK. Ministria e Shëndetësisë shpreh edhe një herë gatishmërinë për bashkëpunim me organet e drejtësisë, duke i vënë në dispozicion dokumentacionin e plotë.”