Politika Dita Kombëtare e Drejtësisë, Meta: Pa Gjykatën Kushtetuese drejtësia nuk është e...

Dita Kombëtare e Drejtësisë, Meta: Pa Gjykatën Kushtetuese drejtësia nuk është e plotë

Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar Ditën Kombëtare të Drejtësisë përmes një pasazhi nga “Kanoni i Zhurisë”, i miratuar nga qeveria e Ismail Qemalit në 10 Maj 1913.

Kreu i shtetit deklaron se 107 vjet më pas ne duhet të mbrojmë një gjyqësor të pavarur dhe funksional, i cili sipas tij pa Gjykatën Kushtetuese nuk mund të jetë i plotë.

“Sot, kur mungesa e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese po pamundëson mekanizmin kryesor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, 10 Maji i Ditës së Drejtësisë nuk është i plotë. Sot, 107 vjet pas “Kanonit të Zhurisë”, duhet të vazhdojmë të mbrojmë edhe me më shumë forcë dhe vullnet, parimet kushtetuese për një gjyqësor të pavarur dhe funksional që meriton secili qytetar, nën frymën e Kushtetutës së miratuar prej tyre me referendum që prej datës 22 Nëntor 1998”, shkruan presidenti Meta.

Me tej presidenti Meta bëri dhe një mesazh urimi për Komisionin e Venecias, i cili sot shënon 30 vjetorin e krijimit. Sipas Metës, Komisioni sot është më i nevojshëm se kurrë për të mbrojtur shtetin e së drejtës dhe kontrollet e balancat në sistemin demokratik.

“Një urim i veçantë edhe për Komisionin e Venecias që pikërisht sot, në të njëjtën ditë, feston 30 vjetorin e krijimit të tij. Komisioni është i nevojshëm tani më shumë se kurrë më parë, për të mbrojtur dhe promovuar, në partneritet me organet e Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian:

  • Respektimin e shtetit të së drejtës dhe, veçanërisht, pavarësinë e gjyqësorit;
  • Kontrollet dhe balancat brenda një sistemi demokratik funksional;
  • Zgjedhje të lira dhe të ndershme;
  • Respektimi i të drejtave të njeriut, përfshirë edhe në situatat emergjente”, përfundon presidenti.