Bota Tensione në veri të Kosovës, 4 kryetarët nuk lejohen në komuna

Tensione në veri të Kosovës, 4 kryetarët nuk lejohen në komuna

Pas betimit të 4 kryekomunarëve të veriut të Kosovës, serbët kanë realizuar një protestë për moslejimin e futjes së tyre në komuna.

Protesta e serbëve që banojnë në komunën e Zveçanit nisi fillimisht në mënyrë paqësore, por degradoi me kalimin e kohës.

Gazetarja Blerta Dalloshi Berisha raportoi për Tv Klan se janë dëgjuar të shtëna armësh e po ashtu është hedhur gaz lotsjellës në protestën e organizuar nga serbët. Gazetarja Dalloshi shton se është djegur një makinë policie.

Blerta Dalloshi Berisha: E gjithë protesta ka ardhur pas betimit të kryetarëve të komunave të veriut të Kosovës. Sot kanë dashur që të hyjnë në objektet e komunave për të kryer funksionin e tyre si kryetarë komunash, por kjo ka ndeshur në rezistencë të serbëve, të cilët qëllimisht kanë filluar një protestë paqësore e pastaj janë dëgjuar të shtëna armësh, kryesisht në Zveçan e pastaj është eskaluar situata duke u përdorur edhe gaz lotsjellës, si dhe është djegur një makinë e policisë. Pritet që barrikadat të jenë pjesë e këtyre protestave. Kjo është pritshme, çështja e barrikadave është mënyra e parë e reagimit të serbëve.

Ditën e djeshme janë betuar 3 kryetarët e komunave të veriut të Kosovës të zgjedhur në 23 Prill. Ceremonitë për arsye sigurie nuk janë zhvilluar në komuna, por në institucione publike në fshatra shqiptarë në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviq.

Më herët, u betua kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Artiq. Ceremonia e betimit të tij u bë në godinën e komunës nën masa të shumta sigurie, ndërsa nuk u shënuan incidente.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 Prillit, për herë të parë u zgjodhën shqiptarë për të drejtuar 4 komunat e veriut, kjo pasi lista serbe i bojkotoi zgjedhjet.

Mediat në Serbi thanë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç nënshkroi një urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë së Serbisë në nivelin më të lartë dhe ka urdhëruar lëvizjen e njësive në drejtim të vijës kufitare me Kosovën.

Një muaj më parë autoritetet e Kosovës organizuan zgjedhjet për kryetarë të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri me gjithë refuzimin e subjekteve politike serbe që të marrin pjesë në proces pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës dhe zyrtarët në Beograd kundërshtojnë rezultatin e këtij procesi zgjedhor.