Sizmiologu Rrapo Ormeni, në një lidhje telefonike për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka thënë së tërmeti i pasdites të së enjtes me magnitudë 4.3 nuk shkaktoi asnjë rrezik dhe banorët nuk duhet të frikësohen. Sipas tij, këto lëkundje sizmike ishin pasgoditje të tërmetit të fortë të 26 Nëntorit.
Sizmiologu Ormeni shpjegoi se tërmete me magnitudë të tillë nuk shkaktojnë probleme as në epiqendrën e tyre, e aq më pak në Tiranë ku vala e goditjes vjen një shkallë e gjysmë më e vogël.
“Rrjeti sizmiologjik ka regjistruar tërmet sot, pra pasgoditje, i cili është regjistruar 10 km në veri të Durrësit, pra është në serinë e pasgoditjeve të 26 Nëntorit, në një thellësi 30 km nën tokë me magnitudë 4.3 të shkallës Rihter. Tërmeti kishte një zgjatshmëri më të madhe se pasgoditjet e tjera. Nuk ka vend për alarm se tani po bie një në 3-4 ditë me magnitudë 4.
Kjo magnitudë është normale, e rendit 4. Këto po vijnë duke u zvogëluar si shpejtësi, por edhe në magnitudë. Herë pas here do të ndodhin të këtij niveli. Një tërmet i tillë i madh, pasgoditjet zgjasin për periudha të gjata, zgjasin me muaj. Nuk ka vend për panik. Ky nivel magnitude nuk shkakton dëme as në zonën epicentrale, aq më tepër të ketë panik në Tiranë që vjen një shkallë e gjysmë më i vogël. Edhe pasgoditje e tjera nuk patën asnjë efekt në Tiranë”, u shpreh sizmologu Ormeni.