Me shumë vuajtje, por Tirana ia ka dalë që të sigurojë mbijetesën në Superligë edhe për një sezon tjetër. Bardheblutë fituan në ndeshjen e fundit me Flamurtarin në shifrat 3-0, duke i shpëtuar rrezikut nga Kastrioti, i cili u mposht nga Kukësit 3-1. Jo vetëm mbijetesa, por në këtë javë të fundit të kampionatit janë përcaktuar edhe ekipet që do të luajnë në Kupat e Europës. Përveç Kukësit të vendit të dytë një biletë për më tej ka siguruar edhe Teuta që fitoi në ndeshjen e fundit me Laçin, 2-0.
Dy ndeshjet, Tirana-Flamurtari dhe Kukësi-Kastrioti ishin në një kohë dhe rezultati i njërës rrjedhimisht ndikoi te tjetra. Nëse në pjesën e parë, teksa Tirana po barazonte me vlonjatët dhe Kastrioti ishte në avantazh me Kukësin, në 45 minutat e dyta, çdo gjë u përmbys. Tre gola të shpejtë të Tiranës bën që edhe krutanët të dorëzoheshin, duke u përmbysur nga Kukësi, që fitoi këtë ndeshje të fundit të kampionatit me rezultatin 3-1.
Tirana tashmë që ka siguruar mbijetesën, përqendron të gjitha forcat e saj te finalja e Kupës, përmes së cilës mund të sigurojë pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Në varësi të kësaj finaleje do të varet edhe fati i Skënderbeut, që e mbylli kampionati në vendin e katërt. Në rast se fiton Kukësi dhe Skënderbeu i shpëton dënimit nga Uefa, atëherë ekipi i Shehit do të siguronte një biletë për në fazën eliminatore të Europa League. Ndërkohë Laçi dhe Flamurtari thuajse nuk kanë asnjë shpresë për të luajtur në Europë. Vetëm në rast se do të qëndronte në fuqi dënimi i Skënderbeut dhe Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë, atëherë hapej rruga për Flamurtarin që të kualifikohej në Europë.