Politika Tiranë- Beograd, protestat e partive opozitare nisin thuajse në të njëjtën orë

Tiranë- Beograd, protestat e partive opozitare nisin thuajse në të njëjtën orë

Opozita shqiptare dhe ajo serbe thuajse në të njëjtën orë pritet të nisin protesta kundër qeverisë. Opozita shqiptare do ta zhvillojë protestën e saj në orën 18, ndërsa ajo serbe rreth orës 16.00. Në këto protesta kërkohet ndryshimi i qeverisë. Dalllimi i vetëm mes këtyre protestave është se deputetët e opozitës i dogjën mandatet, ndërsa deputetët serbë nuk kanë hedhur një hap të tillë.

Aleanca për Serbinë, si organizatore e protestës, ka ftuar qytetarët nga e gjithë Serbia të marrin pjesë në protestë. Ndërkohë janë shtuar masat e sigurisë në ndërtesën e Kuvendit të Serbisë.

Protestuesit pritet të mblidhen para ndërtesës së Qeverisë, për të vazhduar pastaj para Kuvendit të Serbisë, ka thënë kryetari i Partisë së Re, Zoran Zhivkoviq, transmeton rel. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Balsha Bozhoviq, ka thënë se që nga orët e hershme të mëngjesit forcat policore po mbajnë të rrethuar ndërtesën e Kuvendit të Serbisë.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq tha se policia ndodhet brenda ndërtesës për parandaluar “nëse dikush përpiqet ta djegë atë apo të vjedhë pikturat dhe mobiliet brenda saj, si dhe të mbrojë deputetët dhe punëtorët brenda ndërtesës”. Në një postim tjetër në Twitter, ministri Stefanoviq tha se “nëse dikush tenton të sulmojë institucionet shtetërore siç bën me RTS, këtë nuk do të ia arrijnë”.

Nga ana e saj edhe Policia shqiptare ka marrë masat për mbarëvajtjen e protestës, duke forcuar sigurinë në institucionet më të rëndësishme të shtetit. Faktori ndërkombëtar ka bërë të ditur se dhunën nga ana e opozitës në protestë do ta konsiderojë si ‘një vijë të kuqe’.