Kryesore Tkurret avantazhi i Trump në Pensilvani, Joe Biden bën thirrje për qetësi...

Tkurret avantazhi i Trump në Pensilvani, Joe Biden bën thirrje për qetësi dhe durim

Kandidati demokrat për president, Joe Biden në një deklaratë për gazetarët në Uilmington të Delauerit tha se ai është njoftuar nga zyrtarët mbi zhvillimet e fundit në lidhje me pandeminë e koronavirusit dhe gjendjen ekonomike të vendit. Ai gjithashtu bëri thirrje për durim, qetësi dhe për numërimin e çdo vote. “Çdo votë duhet të numërohet dhe këtë do ta shohim ne tani. Kështu duhet të jetë. Demokracia nganjëherë është e ngatërruar, nganjëherë ajo kërkon durim. Por ky durim është shpërblyer për 200 vjet. Ky sistem i qeverisjes ka qenë zilia e botës”, tha ai. Biden theksoi se ai nuk ka dyshim se ai dhe senatorja Harris do të shpallen fitues të zgjedhjeve pas përfundimit të numërimit të votave.

Në Pensilvani, diferenca e votave në favor të Trump është tkurrur gjatë 24 orëve të fundit, dhe tani është rreth 98 mijë vota, kur mungojnë ende disa qindra mijëra votash që vijnë nga zona elektorale të cilësuara si demokrate.

Një tjetër shtet i nxehtë është Xheorxhia, ku Trump kryeson me rreth 13 mijë vota, por tashmë sytë e amerikanëve dhe jo vetëm i drejtohen kryesisht Pensilvanisë.