Opinione Ëndrra budallaqe tiranase e një mandati të dytë për Donald Trump

Ëndrra budallaqe tiranase e një mandati të dytë për Donald Trump

Nga Skënder Minxhozi

Ka një pritshmëri deri diku komike në qarqet e opozitës shqiptare dhe mediat e përkrahësit e saj të deklaruar, për një fitore të mundshme të Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane. Nga shumë aspekte ky ilaritet deklaratash e tifozllëku i ngjan dallgës së optimizmit të katër viteve më parë, kur opozitarët e Tiranës kujtuan se me ardhjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë, për Edi Ramën dhe qeverinë e tij në Tiranë do të vinin ditë të zeza. Si kompensim i një deklarate të pavend dhe të pamend, që kryeministri shqiptar kishte bërë në shtypin amerikan në lidhje me presidentin e sapozgjedhur.

Nuk ndodhi as linçimi i Ramës në sytë e opinionit botëror nga presidenti kontrovers amerikan dhe as linja zyrtare e SHBA ndaj vendit tonë nuk ndryshoi. Ndodhi në fakt krejt e kundërta. Rama i kaloi dy krizat më të rënda politike të qeverisjes së tij pas vitit 2013, me një administratë amerikane pas shpatullave. Ambasada amerikane në Tiranë ka qenë në katër vitet e fundit, pra pas fitores së Trump në SHBA, “truproja” reale e qeverisë shqiptare, duke prerë ende pa lindur, çdo tentativë të opozitës për të sulmuar deri edhe fizikisht godinën e qeverisë e institucionet e tjera të shtetit.

Në Çadrën e vitit 2017, ashtu si në krizën e mandateve në vitin 2019, apo në zgjedhjet lokale të po atij viti, amerikanët “e Donald Trump” kanë qenë garantët e palëvizshëm të hedhjes poshtë të çdo nisme të opozitës për të destabilizuar vendin. E kjo nuk ka ardhur pasi kanë ndonjë disponim pozitiv posaçërisht për Edi Ramën. Thjesht nuk e urrejnë në termat që PD, LSI dhe fansat e tyre prisnin në nëntorin e vitit 2016.

Kur kjo s’ka ndodhur herën e parë, aq më pak është e pritshme të ndodhë herën e dytë. Impakti i zgjedhjeve amerikane në ngjarjet politike të Shqipërisë pritet të jetë mëse minimal, pasi linja zyrtare e Uashingtonit ndaj vendit tonë nuk ka pësuar luhatje në dekadën e fundit.

Prandaj përjetimi i garës mes Trump dhe Biden, si një pasdite proteste opozitare në dyert e kryeministrisë, është diçka komike dhe krejt jashtë kontekstit e realitetit. Nëse fiton Trump do të kemi katër vjet më tepër nga kjo që kemi parë e jetuar në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

Nëse fiton Biden do të kemi thjesht hyrjen në Shtëpinë e Bardhë të një njeriu që në karrierën e vet ka deklaruar fjalët “…do të vazhdoj me çdo ind të trupit tim, për ta mbajtur Amerikën të përfshirë me trupa, që të jenë të gatshme të qëllojnë dhe të vrasin, për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë në Ballkan…”.

Nga një njeri i tillë nuk mund të ketë frikë asnjë politikan shqiptar, sado i sklerotizuar dhe i shfytyruar nga interesi i tij hileqar politik. As Edi Rama, as Lulzim Basha!