Politika Topalli: Faleminderit demokratëve për kandidimin, por procesi i  Bashës është një farsë

Topalli: Faleminderit demokratëve për kandidimin, por procesi i  Bashës është një farsë

Në mbyllje të fazës së parë të seleksionimit të kandidaturave, Jozefina Topalli është një prej rreth 1000 emrave të propozuara nga baza demokrate, që janë përzgjedhur për në fazën tjetër. Por ish-kryetarja e Kuvendit, e kontaktuar nga A2, paralajmëron refuzimin për t’u bërë pjesë e këtij procesi të nisur në PD, ndonëse shprehet mirënjohëse ndaj bazës së partisë që e kërkon përsëri në Parlament.

“Vendi ynë është në udhëkryq. Një qeveri e zhytur në skandale dhe një opozite false ia kanë vështirësuar jetën qytetarëve shqiptar. Unë jam prekur nga propozimet e demokratëve për mua. Unë i jam mirënjohëse. E di që ata duan të sjellin ndryshim. Dhe vendi ka nevojë për ndryshim. Ka nevojë për idealistë, njerëz të ndershëm e të pakompromis si ata”, u shpreh Topalli.

Jozefina Topalli, njësoj si kandidatët e tjerë të përzgjedhur për fazën e dytë, duhet të plotësojë formularin e pastërtisë së figurës për të ashtuquajturin veting i PD-së. Por ajo e konsideron të gjithë procesin një farsë të ideuar nga kryetari Basha, me të cilin është në konflikt të hapur që kur u la jashtë listave të deputetëve në zgjedhjet e vitit 2017.

“Formularët janë një fyerje për çdo demokrat dhe komisioni është një truk i Lulzim Bashës për të hedhur hi syve. Nuk besoj se një forcë politike demokratizohet përmes formularëve. Kriza i ka rrënjët pikërisht në marrjen peng të forcave politike. Ndaj dhe beteja duhet filluar aty. Partitë duhet të çlirohen nga kryetarët dështake dezertor. Një drejtim i ri me njerëz të pa korruptuar do sillte shpresë për vendin. Uroj që të rinjtë të bashkohem për të filluar ndryshimin”, tha Topalli.

Tirana dhe Vlora ishin dy qarqet e fundit me të cilat Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve përmbylli fazën e parë të vlerësimit të kandidatëve për deputetë.