Bota Tornadot e fundit në SHBA shkaktojnë 25 viktima

Tornadot e fundit në SHBA shkaktojnë 25 viktima

Gjendja e emergjencës është shpallur në Tenesi pas tornadove vdekjeprurës ditën e martë. Ekipet e shpëtimit po shkojnë derë më derë për gjetjen e të mbijetuarve në zonat më të prekura. Banorët në lindje të Neshvill kishin vetëm 6 minuta kohë për të përgatitur para se stuhia të godiste. Ata në perëndim edhe më pak.

Dëmet në qytetin më të madh të Tenesit janë masive, ndërsa banorët flasin për skena lufte. Dhjetëra mijëra njerëz vazhdojnë të jenë pa energji elektrike. Komunitetet po bëhen bashkë për të nisur pastrimin.

Guvernatori i shtetit, William Lee, i cilësoi dëmet si të pamasa, dhe tha se shumë persona ishin të humbur. “Është një ditë e trishtë për shtetin tonë. Janë 25 viktima të konfirmuara nga perëndimi në lindje. Shkatërrimi është i pabesueshëm e të copëton zemrën”.

Dëmet më të mëdha janë shënuar në Kontenë Putnam, 130 km në lindje të Neshvill ku edhe raportohen 19 viktima, nga 25 që janë konfirmuar deri më tani.