Kryesore “Tradhtia” me Kryemadhin a është lojë dhe a ka dijeni për ndonjë...

“Tradhtia” me Kryemadhin a është lojë dhe a ka dijeni për ndonjë fletë-arrest? Meta: Dumani kërkon të kapë laraska

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediat, është pyetur nga gazetarët e pranishëm, se mos ndoshta historia mes tij dhe Kryemadhit po bëhet në kuadër të lojës për të marrë vëmendje.

Meta u përgjigj, se këtu nuk ka asnjë lojë, ose loja është e hapur.

“Ju niseni nga filmi “Operacioni i Zjarrit”, apo keni ndonjë të dhënë nga grupi i zjarrit? Në të gjithë këto ndryshime që po bën PL, nga ana e Ilir Metës dhe PL nuk ka asnjë lojë. Ose loja është e hapur në kuptimin që ne kemi një program të qartë, unë Ilir Meta, aktualisht kryetar i PL, kandidat për president i PL nëse bëhen ndryshimet statutore. Kam një program të qartë me 5 prioritete për 4 milion shqiptare. Kam një ekip shumë të qartë. Në planin financiar, kam një ekspertët më të mirë të financave siç është Petraq Milo. Kemi ekspertët më të mirë politikën e jashtme, që nga ambasadori si Agim Nesho. Kemi njerëz me një eksperiencë të lëvdueshme qeverisëse, siç është Haxhinasto. Kemi figura të reja që rriten çdo ditë, siç është kandidatja për zv.presidente siç është, Erisa Xhixho”, u shpreh Meta.

Gjatë konferencës për mediat, Meta u pyet edhe për faktin se mos ndoshta ashpërsimi i toneve ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, vjen pasi ai ka dijeni se do të arrestohet.

Meta tha se Dumani është duke kapur disa laraska për të ndërtuar akuza ndaj tij, por ka shtuar se Meta është burrë dhe nuk i llogarit buburrecat.

“Nuk kam asnjë shqetësim për atë problemin që ngritën ju, sepse me kollaj mund të ndodhi e kundërta. Është e qartë që nëse ai është Dumani, padyshim që janë po aq të vërteta informacionet se ky njeri duke kapur disa laraska shpreson që të ndërtojë akuza ndaj Ilir Metës. Ilir Meta është burrë dhe nuk i llogarit buburrecat, aq më tepër çimkat. Kam qenë dhe jam i vetëdijshëm për përgjegjësitë e mia në të kaluarën, por jam akoma më i vetëdijshëm për rolin që kam unë sot dhe që PL ka për 20 vitet në vijim. Rrethimi i vogël ndaj Metës ka përfunduar, rrethimi i madh ndaj Rilindjes sapo ka nisur. Shpresat për asgjësimin e pluralizmit përmes izolimit të Berishës dhe përmes rrethimit të vogël të Metës janë të mbaruara”, tha Meta.

Meta është pyetur gjithashtu edhe nëse kanë ndikuar deklaratat e ambasadave në qëndrimet e tij ndaj SPAK dhe kreut të tij, Altin Dumanit.

Ai tha se qëndrimet e tij ndikohen vetëm nga bindjet e tij dhe nga e  vërteta, duke shtuar se ai tërhiqet dhe kërkon ndjesë vetëm deklaratat e bërë nuk janë të Dumanit, por të ndonjë sozie të tij.

“Në qëndrimet e mia ndikojnë vetëm bindjet e mua dhe e vërteta. Unë juve ju paraqita një deklaratë të Dumanit, në shqip dhe në anglisht. Nëse nuk është Dumani, por sozia e tij, sepse tani në këtë kohë të operacioneve plastike apo inteligjencës artificiale, atëherë unë kërkoj ndjesë. Jam i bindur që ndërkombëtarët që kanë bërë deklarata, mund të kenë mundësinë t’i shikojnë se çfarë ka thënë Dumani. Nëse në vendet e tyre, Prokuroria është mbi Gjykatat, në mund të themi që na vjen keq për vendet tuaja. Ata bëjnë mirë, që nëse iu është kërkuar ndihmë nga buburrecat e Edi Ramës, apo kryebuburreci në drejtësi, kjo nuk na habit se deklarata të tilla kanë bërë dhe disa miq të McGonigal që merrnin lekë dhe puse nate nga Rama. Nëse është Dumani si heq asnjë presje. Nëse është sozia që mund ta ketë bërë Berisha, me qëllim për të diskretituar SPAK, është gjë tjetër”, deklaroi Meta.