Kryesore Trump del nga spitali: Jam i pamposhtur, i mbijetova demokratëve dhe virusit...

Trump del nga spitali: Jam i pamposhtur, i mbijetova demokratëve dhe virusit kinez

Pas 72 orësh në spital, Presidenti Donald Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mbrëmje.

Presidenti nuk dha komente për gazetarët kur iu drejtua makinës që e dërgoi tek helikopteri presidencial në oborrin e spitalit. Ai gjithashtu nuk foli për shtypin kur mbërriti në Shtëpinë e Bardhë, por u ngjit në shkallët e pjesës jugore dhe qëndroi për më shumë se një minutë në ballkon, duke përshëndetur largimin e helikopterit presidencial.

Duke folur në vetën e tretë, presidenti amerikan e përshkroi veten si “një hero të pamposhtur që iu mbijetoi jo vetëm demokratëve, por edhe virusit kinez”.

Ai deklaroi se shumë shpejt do të kthehet në fushatën elektorale.

“Megjithëse nuk është krejtësisht jashtë rrezikut, unë dhe ekipi mjekësor jemi të mendimit se analiza e gjendjes së tij të përgjithshme, mbështesin kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, ku një ekip mjekësor dhe pajisje të sofistikuara mjekësore do të jenë në dispozicion të nevojave shëndetësore të presidentit 24 orë në ditë”, tha në një konferencë për shtyp të hënën pasdite Dr. Sean Conley, mjeku kryesor i presidentit.

“Çdo ditë që një pacient qëndron në spital pa qenë e nevojshme, përbën kërcënim ndaj tij,” tha mjeku. “Aktualisht këtu në spital nuk po bëjmë asgjë që nuk mund ta bëjmë fare mirë në Shtëpinë e Bardhë”.