Extra Kush janë 10 aktoret më të paguara në Hollywood

Kush janë 10 aktoret më të paguara në Hollywood

Mbyllja e sheshxhirimeve dhe sallave të kinemave ka peshuar shumë në Hollywood. Vitin e kaluar në klasifikimin e “Forbes”, për aktoret më të paguara renditej diva e ekranit të madh Scarlet Johansson, ndërkohë që këtë vit skeptri i kalon aktores televizive, Sofia Vergara, e cila me 43 milionë dollarët e fituara ka parakaluar Angelina Jolie, e cila ndalet në 35 milionë.

“Forbes” ka marrë si pikë referimi të ardhurat e dymbëdhjetë muajve të fundit deri më gusht 2020, ku është vënë re se koronavirusi ka shkaktuar një dëm shumë të madh në botën e kinematografisë.

Në renditjen e 10 aktorëve më të paguara, 8 prej tyre kanë fituar më shumë para falë televizionit dhe shfaqjeve online dhe duke qenë se në këto sektorë, në ndryshim nga kinemaja, pagesat vijnë dhe më shpejt. Të vetmet që bëjnë përjashtim nga ky rregull janë Angelina Jolie në vendin e dytë dhe Emily Blunt në të gjashtin.

Falë të ardhurave nga “Modern Family” dhe rrogës së re si anëtare e jurisë së “America’s Got Talent”, Sofia Vergara udhëheq renditjen me 43 milionë dollarë e ndjekur nga Angelina Jolie me 35 milionë, të cilën do ta shohim në vitin 2021 në kinema në “The Eternals”.

“Wonder Woman” e Gal Gadot falë filmit të Netflix “Red Notice” arrin në kuotën 31,5 milionë dollarë, ndërsa jashtë podiumit renditet Melissa McCarthy me 25 milionë dollarë.

Edhe legjenda Meryl Streep ka fituar 24 milionë dollarë falë një komedie të shitur në HBO, ndërsa Emily Blunt ka marrë një çek prej 22,5 milionë dollarësh për vijimin e thrillerit “A Quiet Place”.

Më poshtë në renditje, gjejmë Nicole Kidman falë 22 milionë dollarëve të fituar me muzikalin e miniseritë që pritet të dalin. Në vend të tetë renditet Ellen Pompeo me 19 milionë dollarë, e ndjekur nga Elisabeth Moss me 16 milionë.

Top dhjetëshja mbyllet nga Viola Davis, e cila hyn për herë të parë në këtë renditje të “Forbes” me 15.5 milionët e fituara nga seriali televiziv “How to Get Away with Murder”.