Bota Trump mbledh mijëra njerëz në Ohajo: Do të rikthehem në 2022, Covid...

Trump mbledh mijëra njerëz në Ohajo: Do të rikthehem në 2022, Covid u përdor për të vjedhur zgjedhjet

Mijëra njerëz u mblodhën të shtunën për Donald Trump, në tubimin e tij të parë pas lënies së presidencës në Ohio.

“Ne do të marrim përsëri Dhomën dhe Senatin në 2022″, tha ish-presidenti i SHBA-së duke e quajtur administratën e Biden një katastrofë të plotë: “Ajo po shkatërron vendin tonë”.

Për të mirëpritur ish-presidentin Trump mijëra vetë mbanin të veshura bluza dhe kapele të kuqe Maga (‘Make America Great Again’) dhe pankarta me titull ‘Save America’.

“Ne do të marrim së shpejti përsëri Amerikën. Kriza më e madhe është ajo e kufirit, së bashku me atë që ndodhi në zgjedhjet e vitit 2020. Biden çmontoi mbrojtjen në kufi dhe shkaktoi një valë migrantësh”.

Trump thekson se kur administrata e tij u largua nga Shtëpia e Bardhë, ai la “kufirin më të sigurt në histori: muri funksionoi”.

“Unë nuk dua të shkatërroj demokracinë, po përpiqem të shpëtoj demokracinë amerikane”, tha ish-presidenti i SHBA, duke akuzuar demokratët se përdorën pandeminë e Covid-19 për të “vjedhur zgjedhjet”.