Senatori demokrat Berni Sanders i ka shpallur luftë presidentit Donald Trump. Në dy mitingje paralele, Trump ka shprehur bindjen se Amerika nuk do të jetë kurrë vend socialist, ndërsa Sanders ka deklaruar se do të mundë presidentin më të rrezikshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Në takimin më të madh të konservatorëve amerikanë, i mbajtur në Merilend, presidenti Donald Trump është shprehur i bindur se do të fitojë sërish në zgjedhjet presidenciale të 2020-s.
“Do të fitoj sërish dhe madje me thellë se në vitin 2016”, ka deklaruar Trump. Por ndërsa miliarderi i pasurive të patundshme mbante fjalimin më të gjatë të mbajtur ndonjëherë gjatë presidencës së tij, në Bruklin të Nju Jorkut, senatori Berni Sanders i shpalli atij luftë.
“Do të fitoj zgjedhjet e demokratëve dhe më pas do të mund Donald Trump, presidentin më të rrezikshëm në historinë moderne të Amerikës”, tha Sanders, që shpall kandidaturën për Shtëpinë e Bardhë për herë të dytë. Në fjalimin e tij, senatori demokrat ritheksoi angazhimin për drejtësi ekonomike dhe sociale.
“Parimet e qeverisjes sonë do të bazohen tek drejtësia dhe jo tek racizmi dhe mungesa e tolerancës”, theksoi Sanders.
Por për Trump, Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë kurrë një vend socialist. “E ardhmja në vendin tonë nuk ka kufij”, shtoi Trump. Më tej presidenti e cilësoi si “shumë produktiv”, takimin me liderin koreano-verior Kim Jong Un, që u mbyll papritur dhe pa një marrëveshje dhe shpërtheu me një lum kritikash ndaj skeptikëve.
“Unë u zgjodha si një president jashtë linjave dhe nëse nuk dalim jashtë linjave, atëherë vendi ynë do të ketë telashe të mëdha, miqtë e mi”, deklaroi Trump.