Ekonomi Turizmi, të huajt vijnë në Shqipëri vetëm për pak ditë

Turizmi, të huajt vijnë në Shqipëri vetëm për pak ditë

Vizita vetëm për pak ditë. Ky është lloji kryesor i atyre që të huajt kanë zgjedhur ndër vite për Shqipërinë. Dhe më pak vizita me qëndrim të zgjatur, apo thjesht për qëllime tranziti. Duke konfirmuar në këtë mënyrë faktin se Shqipëria është një vend ende në zbulim e sipër prej tyre dhe ende jo, një destinacion i mirëfilltë dhe i njohur prej të gjithëve për pushime të gjata dhe tradicionale.

Këtë dukuri e faktojnë të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave, sipas të cilave rezulton se janë pikërisht vizitat ditore ato që kanë pësuar një rritje të tyre nga viti në vit prej të huajve drejt vendit tonë. Konkretisht, sipas tyre rezulton se ndërsa pesë vjet më parë, pra në vitin 2012, numëroheshin rreth 71 mijë qytetarë të huaj, të cilët vinin për vizita pak ditore në Shqipëri, vjet ata arritën deri në shifrën e 500 mijë të tillëve, pra gati janë 7-fishuar. Ndërsa vetëm në muajin nëntor të këtij viti ato thuhet se kanë qenë rreth 20 mijë të tilla.

Një trend rritës ky që nuk ka ndodhur në fakt me asnjë nga qëllimet e tjera të udhëtimit të të huajve ndër vite, edhe pse ato mund të kenë shënuar në vetvete shifra më të larta në totalin e tyre. Kështu, nëse në vitin 2012 në Shqipëri rezulton se kanë ardhur për pushime plot 1.4 milionë të huaj, vjet ata arritën deri në 1.9 milionë të tillë, apo 380 mijë vetëm në muajin nëntor të këtij viti. Ndërsa konstatohet se vizitat e të huajve në vendin tonë për qëllime fetare po pakësohen nga viti në vit, duke arritur në vetëm 1 mijë të tilla, nga 1500 që kanë qenë pesë vjet më parë. Apo edhe ato për qëllime tranziti, për të cilat mund të thuhet se janë përgjysmuar, nga 287 mijë pesë vjet më parë, në 158 mijë të tilla vitin e kaluar.

Ose ndryshe, vetëm 70 të tilla për muajin nëntor të sivjetshëm, nga 200 në nëntorin e kaluar. Ajo që bie në sy ndër të tjera, mes shifrave që ofrojnë autoritetet zyrtare shqiptare për qëllimin e vizitave të të huajve në vendin tonë, është edhe fakti i vizitave të njëjta nga viti në vit për biznes, 6.5 mijë në nëntorin e sivjetshëm, nga rreth 5 mijë që ishin pesë vjet më parë.