Të paktën 33 ushtarë turq janë vrarë në një sulm nga forcat e Asadit në pozicionet e ushtrisë turke në provincën Idlib, tha guvernatori i provincës turke të Hatay.
Ky është numri më i madh i viktimave që Turqia ka pësuar në vetëm një ditë që kur filloi dërgimin e mijëra trupave në provincën Idlib në javët e fundit, në mes të një sulmi nga ushtria siriane e mbështetur nga Rusia, që synonte të kapte strehimin e fundit të opozitës, në shtëpi për më shumë se tre milion njerëz.
Në mbrëmjen e së mërkurës, dhjetëra ambulanca nga Siria hynë në Turqi përmes një vendkalimi kufitar në rajonin Hatay. Në të njëjtën kohë, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan thirri një takim urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë Ministri i Jashtëm, Ministri i Mbrojtjes, Shefi i Inteligjencës dhe Komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë turke.
Ministri i Jashtëm Mevlut Cavusoglu foli përmes telefonit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg për situatën aktuale në Siri, ndërsa zëdhënësin e Zyrës presidenciale turke Ibrahim Kalin, foli me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien.
Ushtria turke po përgjigjet duke gjuajtur artileri në objektivat e ushtrisë siriane në Siri, tha kreu i Zyrës së Komunikimit të Presidencës Turke, Fahrettin Altun.
“Synimi i ushtrisë turke janë të gjitha pozicionet e njohura të forcave të ushtrisë siriane. Ne nuk mund dhe nuk do të vëzhgojmë me qetësi që ç’ndodhi më parë në Ruandë dhe Bosnje të përsëritet në Idlib”, tha Altun.
Humbjet e ushtrisë turke ndodhën gjatë një kundërsulmi nga forcat e qeverisë siriane për të rifituar kontrollin e qytetit të Saraqib në provincën Idlib.
Forcat e opozitës siriane, të mbështetur nga Turqia, kanë pushtuar këtë qytet strategjik të rëndësishëm gjatë natës së kaluar, i cili është në kryqëzimin e autostradave kryesore që lidhin qytetet e Halep dhe Latakia me pjesën tjetër të vendit.
Provinca Idlib është kështjella më e madhe e opozitës siriane. Me ndërmjetësimin e Turqisë, Rusisë dhe Iranit, gjatë negociatave të majit 2017, në Astana, Idlibi u shpall një zonë de-përshkallëzimi, ashtu si rajoni i Homs, Guta Lindore dhe Deraa-Kuneytra.
Forcat e Asadit shfrytëzuan armëpushimin e vendosur dhe, me mbështetjen e forcave ajrore ruse, okupuan të tre rajonet, ndërsa Idlib mbeti nën kontrollin e opozitës. Qindra mijëra civilë nga ato rajone ikën në Idlib dhe në rajone përgjatë kufirit sirian-turk.
Një marrëveshje shtesë u arrit në Soçi më 17 shtator 2018 për të përfunduar konfliktin dhe krijimin e një zone të çmilitarizuar në Idlib. Sipas marrëveshjes, forcat e opozitës tërhoqën armë të rënda nga Idlibi muajin tjetër.
Më shumë se 1,800 civilë janë vrarë në sulmet e Asadit dhe forcave aleate mbi Idlib që nga 17 shtatori 2018. Që nga janari i vitit 2019, më shumë se 1.94 milion njerëz kanë ikur nga kufiri siriano-turk.
Ndërkohë, pas vrasjes së 33 ushtarëve turq, Reuters raporton se Turqia ka vendosur të heqë bllokadën për të gjithë refugjatët nga Siria që duan të ikin drejt Evropës.
Reuters i referohet një zyrtari turk në anonimitet, i cili ka thënë se policia turke, rojet bregdetare dhe rojet kufitare janë urdhëruar të qëndrojnë larg një vërshimi të mundshëm të refugjatëve.