Kryeministri Edi Rama ka premtuar se PS do të bëjë realitet ëndrrën e shqiptarëve për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Komentet Rama i bëri gjatë mbledhjes së ‘Kuvendit Kombëtar Rinor për Shqipërinë 2030’, ku tha se PS është e vetmja forcë politike që i mban premtimet.
Ai shtoi se ka ardhur koha që PS të çojë në vend amanetin e të parëve tanë, të Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe rilindasve, për një shtet shqiptar të fortë.
Sipas Ramës, të gjitha forcat e tjera politike nuk e kanë eksperiencën dhe energjinë e PS për ta ndryshuar Shqipërinë.
“Kjo është forca politike që ka bërë më shumë nga të gjitha forcat e tjera politike të marra së bashku. Asnjë forcë tjetër nuk është më e vjetër se kjo e jona dhe asnjë forcë tjetër nuk është më e re sesa kjo e jona. Asnjë forcë tjetër nuk ka më shumë eksperiencë sesa kjo e jona dhe asnjë forcë tjetër nuk ka më shumë energji sesa kjo e jona. Te asnjë forcë tjetër vota nuk sjell asgjë të re.
Prandaj vota për ne është e vetmja votë për ndryshimin, ndërsa vota për të tjerët është një votë e sigurt për zhgënjimin. Të tjerët premtojnë çdo gjë sepse nuk kanë asgjë në dorë, ndërsa ne premtojmë atë që bëjmë dhe kemi në dorë të bëjmë atë që premtojmë.
Ne kemi në dorë të çojmë në vend amanetin e të parëve tanë, amanetin e Skënderbeut, të rilindasve, të Ismail Qemalit, të dëshmorëve të luftës, të martirëve të diktaturës dhe të bëjmë realitet ëndrrën europiane të shqiptarëve brez pas brezi, duke e kthyer votën e tyre për PS në një ulëse me emrin Albania në tryezën e BE. Këtë mund ta bëjmë vetëm ne”, tha Rama.