Bota Ultimatumi i BE: Britania 12 ditë kohë për një plan të qartë...

Ultimatumi i BE: Britania 12 ditë kohë për një plan të qartë për Brexit

Qeveria britanike e Boris Johnson ka 12 ditë kohë për t’i dërguar Bashkimit Europian planet e saj për Brexit. Ultimatumi është bërë i ditur nga kryeministri i Finlandës, Antti Rinne, i cili njoftoi se bashkë me presidentin francez, Emmanuel Macron, janë dakordësuar lidhur me nevojën që Londra t’i paraqesë propozimet të shkruar në letër deri në fund të shtatorit.

Nëse kjo nuk ndodh, atëherë çdo tentativë për një ujdi të re merr fund. Finlanda aktualisht drejton presidencën e radhës të BE-së. Për këtë ultimatum reagoi dhe “Downing Street” duke thënë se Londra do të vijojë negociatat me Brukselin dhe se do të prezantojë propozimet e saj brenda një kohe të përshtatshme.

“Ndërsa ne kërkojmë një ujdi, njohim dhe rrezikun që diçka e tillë ndoshta nuk mund të arrihet dhe në atë rast, ne do të largohemi pa marrëveshje”, deklaroi Stephen Barclay, ministri britanik për Brexit.

Kryeministri Johnson ka përsëritur shpeshherë se një ujdi është e mundshme të arrihet në samitin e liderëve të BE-së me 17 tetor, por edhe në rast të një dështimi ai ka premtuar largimin nga Unioni me 31 tetor edhe pa një marrëveshje.

Qeveria britanike njofton se në bisedimet me Brukselin ka pasur progres që prej marrjes së detyrës nga Johnson në korrik. Londra kërkon me ngulm heqjen e mekanizmit kufitar irlandez, të ashtuquajturin “Backstop”, ndërsa BE e kërkon atë në qendër të çdo marrëveshje të mundshme për Brexit.