Kryesore Vaksina kundër Covid-19, Fauci: Nuk duhet të jetë e detyrueshme

Vaksina kundër Covid-19, Fauci: Nuk duhet të jetë e detyrueshme

Eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anthoni Fauci, është kundër idesë që vaksina për koronavirusin të bëhet e detyrueshme për të gjithë amerikanët.

“Unë nuk mendoj se do të shihni ndonjëherë masën e detyrimit për vaksinim, veçanërisht për publikun e gjerë. Nëse dikush refuzon vaksinën, atëherë nuk mund të bëjmë asgjë për këtë. Ju nuk mund ta detyroni dikë të marrë një vaksinë”, tha Fauci.

Komentet e tij bien ndesh me ato të kryeministrit australian, Scott Morrison, i cili më herët tha se dëshiron që vaksina e COVID-19 të bëhet e detyrueshme për të gjithë australianët. Megjithatë, ai bëri hap prapa në qëndrimin e tij, pasi ekspertë të lartë ngritën shqetësime se deklarata të tilla mund të jenë kundërproduktive e madje edhe të rrezikshme, duke qenë se nuk ka ende një vaksinë që të jetë provuar si efikase apo e sigurtë.

“Nuk do të jetë e detyrueshme. Nuk ka vaksina të detyrueshme në Australi”, tha më vonë në një prononcim për radion 2GB.

Komentet e Morrisonit erdhën pasi qeveria e tij nënshkroi një marrëveshje me kompaninë anglo-suedeze AstraZeneca për prodhimin e vaksinës së mundshme të Covid-19, e krijuar nga Universiteti i Oksfordit. Shkencëtarët shpresojnë të kenë rezultate pozitive pas përfundimit të fazës së tretë të testimit në fund të vitit. Morrisoni e cilësoi vaksinën si më premtuesen në botë, dhe tha fillimisht se ajo duhej të bëhej e detyrueshme aq sa të ishte e mundur.