Marina Koren*
Një koleksion anijesh hapësinore jo-operative, me misionin e raportimit të mrekullive të universit të përfunduar prej kohësh, rrëshqasin në heshtje në afërsi të Tokës. Këtë javë, NASA do të fikë një tjetër, teleskopin Spitzer, i cili ka kaluar 16 vjet duke vëzhguar kozmosin. Teleskopi ndjek Tokën, duke u sjellë rreth diellit, dhe pak e nga pak, është larguar prej nesh.
Hapësira në rritje, tani qindra miliona milje e gjerë, e ka bërë më të ndërlikuar që inxhinierët të operojnë Spitzer-in dhe ta drejtojnë atë në vendet e duhura – dielli, për të tu karikuar; Tokë, për të transmetuar të dhëna; dhe universi i dyshimtë përtej, për të mbledhur edhe më shumë të dhëna. Kështu që ata kanë vendosur ta ‘çojnë për skrap’.
Objektet në hapësirë, madje edhe teleskopët me çmim shumë të shtrenjtë, konsiderohen mbeturina kur nuk kanë më një qëllim ose funksion. Disa, si Spitzer, u zhvendosën në lartësi të mëdha ose orbita speciale, dhe do të qëndrojnë atje diku nga qindra deri në miliona vjet.
Kepler, teleskopi i NASA-s që zbuloi mijëra planetë përpara se t;i mbaronte karburanti në vitin 2018, pluskon pas Tokës. Herschel dhe Planck, dy observatorë nga Agjensia Europiane e Hapësirës, pushuan së funksionuari në 2013, por prapë ‘varen’ një milion milje larg në një vend në hapësirë, ku një çudi e forcave gravitacionale mban objekte në orbita të qëndrueshme, pothuajse si me magji. Galaxy Evolution Explorer, një teleskop i NASA-s që bëri saktësisht siç sugjeron emri i tij deri në vitin 2012, pritet t’i rrotullohet Tokës për gati 60 vjet të tjera përpara se të digjet në atmosferë. Koperniku, një nga observatorët më të hershëm të NASA-s, është ende atje pasi mbaroi vëzhgimet me rreze X në vitin 1981, duke iu sjellë Tokës rreth e rrotull. Lista vazhdon.
Së bashku, këto anije kozmike të skaduara janë diçka më shumë se një varrezë makinash hapësinore. Ato janë një histori lundruese e kërkimeve shkencore me vlerë që kanë marrë vite, nisur nga mendja e eksploruesve që nuk mund të fluturonin vetë atje. “Secila tregon një histori për gjendjen e njohurive në kohën kur u nis”, më tha Alice Gorman, një arkeologe që studion kërkimet në hapësirë.
Spitzer – i emëruar për Lyman Spitzer, astrofizikanin amerikan që bëri thirrje për teleskopë hapësinorë shumë kohë përpara se dikush të kishte nisur qoftë edhe një satelit – është krijuar për të zbuluar burime drite në gjatësi vale infra të kuqe. Në vitet 1960, shkencëtarët, kuriozë për të parë kozmosin në këtë mënyrë iu bashkangjitën balonave teleskopë me rreze infra të kuqe dhe i lëshuan në qiell. Ata duhej të kalonin atmosferën e Tokës, e cila thith këtë lloj rrezatimi. (“Përpjekja për të parë burime të mugëta rrezesh infra të kuqe nga toka”, shpjegon NASA, “është si të përpiqesh të vëzhgosh yjet ndërsa dielli është edne në qiell”.) Një raport i Akademisë Kombëtare të Shkencave në 1979 inkurajoi vendosjen e teleskopëve infra-kuq, duke thënë se vitet e fundit «ndjeshmëria e instrumenteve të përdorura për astronominë infra-kuqe është përmirësuar me më shumë se dy herë», duke çuar në zbulime emocionuese të planetëve fqinj dhe yjeve të largët. Deri në vitet 1990, NASA ishte duke punuar për Spitzer-in.
Ndjeshmëria e Spitzer ndaj dritës infra të kuqe lejon që ajo të shohë objekte kozmike shumë të zbehta. Zbulimet e tij shtrihen nga sistemi ynë diellor deri në skajet e universit. Spitzer gjeti një unazë rreth Saturnit të bërë nga grimca pluhuri shumë të përhapura për t’u parë nga teleskopët e tjerë, dhe kapi dritën që lanë galaktikat e tjera miliarda vjet më parë, jo shumë kohë pas Big Bang-ut. Në fund të jetës, Spitzer po kontribuonte në një zonë studimi që mezi ekzistonte kur inxhinierët po skiconin për herë të parë gjurmët e saj: eksoplanetët. Spitzer zbuloi elemente kimike dhe madje edhe modele të motit në atmosferën e planeteve të largët që rrotullohen rreth yjesh të tjerë.
Pasi ‘shfuqizohen’, misionet hapësinore nuk pritet që të kthehen nga vdekja, por edhe ka ndodhur: Vitin e kaluar, një anije kozmike e NASA-s e nisur për të studiuar magnetosferën e Tokës u ringjall mrekullisht, 13 vjet pasi supozohej se ishte shpërbërë, por, për fat të keq, ajo nuk u kthye kurrë te operacionet e plota. (Megjithatë, është ende në orbitën e Tokës.)
Spitzer pritet të mbetet në orbitë për shumë, shumë vite, së bashku me vëllezërit e tij të heshtur. Spitzer dhe Toka do të qëndrojnë në një valle të çuditshme të vogël ndërsa lëvizin rreth diellit. Sipas NASA, Toka do të arrijë Spitzer-in në vitin 2051, duke iu afruar nga pas. Takimi do ta shtyjë Spitzerin në një orbitë më afër diellit, ku do të udhëtojë më shpejt, duke e lënë Tokën të gjurmojë pas saj deri në afrimin tjetër.
Jeta e përtejme e gjatë e këtyre anijeve paraqet një pyetje intriguese për Gorman. Vite nga tani, mund të ketë shumë më tepër arkeologë hapësinorë, dhe disa prej tyre mund të jenë kuriozë për atë që lanë parardhësit e tyre në hapësirën afër dhe rreth Tokës. “Nëse një vëzhgues i ardhshëm po përpiqej të krijojë një ide mbi gjendjen e shkencës tokësore, a mund ta konstatojnë atë nga mosha e anijes dhe natyra e instrumenteve në bord?”, thotë Gorman.
Sigurisht, është e mundur. Në disa raste, studiuesit e ardhshëm mund të tregojnë se çfarë bënin anijet kozmike të vdekura vetëm duke i parë. Kërkohen lloje të ndryshme pajisjesh për të studiuar gjatësi vale të ndryshme, dhe arkeologët hapësinorë mund të gjejnë përdorimin e pajisjeve në anije nga dokumentet e pluhurosura në Tokë dhe t’i krahasojnë ato me pikëpamjet e tyre rreth anijes. Pajisja për anije kozmike zbuluese gama dhe rreze X, për shembull, është shumë e dallueshme, sipas Fiona Panther, një astronome në Universitetin e Uellsit të Ri Jugor në Canberra. Disa anijen mund të identifikohen nga gjurmët e mostrave, thotë Michael Busch, një astronom në Institutin SETI. Arkeologët e ardhshëm, të pajisur me teknologji të anijeve kozmike mund të hetojnë anijet e vdekura dhe të zbulojnë se instrumentet e tyre u krijuan për të mbledhur kokrra pluhuri në hapësirë.
Me vëzhgime të mjaftueshme dhe punë në terren – në sajte historike që e zmadhojnë hapësirën me afro 17,000 milje në orë – gjeneratat e ardhshme të studiuesve mund të gjurmojnë zhvillimin teknik të shkencës së hapësirës në shekujt 20 dhe 21. Studimi i ndryshimeve në teleskopët hapësinorë – teknologjia në zhvillim, pyetjeve të reja për përgjigjen e të cilave u krijuan – do të ishin analoge me studimin e progresit të avionëve nga vëllezërit Ëright te aeroplanët komercialë, thotë Gorman.
Nga ky këndvështrim, observatorët e hapësirës një ditë do të mund të ktheheshin në muze të shkëlqyeshëm, sipsh Muzeu i famshëm Smithsonian i i Aeronautikës dhe Hapësirës, vetëm se, ju e dini, në hapësirë terrestriale. “Ju mund të vizitoni një muze tokësor, konvencional dhe mund të shihni makina të vjetra, aeroplanë, trena, anije”, më tha dikur Stuart Eves, një inxhinier dhe proponet i krijimit të muzeve hapësinorë. “Do të ishte një turp i madh nëse disa nga anijet ikonike që kanë kontribuar jashtëzakonisht nuk do të kishin një lloj rekordi të përhershëm.”
Kompanitë hapësinore sot janë duke eksperimentuar me (dhe duke pasur disa sukses) kapjen e anijeve të vdekura në orbitën përreth Tokës. Ato po e bëjnë këtë si një përpjekje për të pastruar një mjedis të mbushur me hedhurina hapësinore, por teknologji e ngjashme mund të përdoret edhe për të tërhequr anijet historike të rëndësishme në orbita më të larta, më të sigurta, apo edhe drejt njëra-tjetrës për të krijuar një lloj ekspozitë. Imagjinoni një pllakë të vogël ari që rrotullohet përkrah Spitzerit, duke u shpjeguar vizitorëve në një safari hapësinor se si dikur teleskopi na tregonte shumë më shumë univers, sesa mund ta imagjinonim.
*The Atlantic